Niveli i të hyrave nga diaspora nuk do të jetë i qëndrueshëm
Prishtinë, 17 tetor - Dërgesat e mërgimtarëve kosovarë janë edhe më tej faktor shumë i rëndësishëm për ekonominë e vendit. Rreth 25 për qind e familjeve në Kosovë marrin të hyra të rregullta nga diaspora.
Por këto dërgesa nuk do të jenë të qëndrueshme në vazhdimësi. Kështu u tha në një prezantim të zyrtarëve të Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara, në prezantimin e njërit nga kapitujt e raportit të tetë për Zhvillim Njerëzor në Kosovë 2014.
Kosova gjatë dekadës së fundit, ka marrë dërgesa të qëndrueshme nga diaspora, pavarësisht krizës ekonomike botërore të vitit 2008. Këto dërgesa janë konsideruar si faktor i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik, ndonëse pjesa dërmuese e tyre janë përdorur për financimin e konsumit, thotë autorja e studimit Migrimi si forcë për zhvillim, Artane Rizvanolli.
Në bazë të një studimi të kryer nga zyrtarë të Programit për zhvillim të Kombeve të Bashkuara - UNDP-së, niveli i të hyrave nga diaspora nuk do të jetë i qëndrueshëm në vazhdimësi. Rizvanolli thotë se familjet që jetojnë në diasporë, do të fokusohen më shumë në financimin e shkollimit të fëmijëve të tyre, dhe në këtë mënyrë do të bëhet një shkëputje e natyrshme e tyre me Kosovën.
Ka edhe të hyra tjera nga jashtë, që ndërlidhen me migrimin, por që nuk konsiderohen si remitanca, sic është rasti me të punësuarit në Irak dhe Afganistan dhe që dërgohen përmes kanaleve joformale. Përvec financimit të konsumit, mërgimtarët investojnë mjete edhe në patundshmëri dhe në ndërtimtari, që nuk konsiderohen investime prej të cilave pritet kthim.
Ndryshe, sipas të dhënave të Bankës Qendrore, remitencat në gjysmën e parë të këtij viti arritën në 272.4 milion euro, 4.2% më shumë se gjatë periudhës së njëjtë të vitit 2012, kurse vitin e kaluar ishin rreth 600 milionë euro.