Niveli i papunësisë në SHBA bie në 5.3 përqind
New York, 4 korrik - Presidenti Barack Obama tha se raporti më i fundit për gjendjen e punësimit në Shtetet e Bashkuara është i mirë, por mbetet ende shumë punë për tu bërë për rritjen e pagave dhe të të ardhurave për njerëzit e thjeshtë.
Presidenti i bëri këto komente para studentëve të Universitetit të Uiskonsinit në La Crosse.
Ai tha se ndërsa vendi ka shënuar një rekord, duke shtuar vende pune për 64 muaj rresht në sektorin privat, ka ende një numër të madh njerëzish që ndjejnë se e kanë tepër të vështirë jetesën.
Në SHBA, qershori ishte një muaj i mirë përsa i përket shtimit të vendeve të punës.
Ekonomia shtoi 223 mijë vende pune muajin e kaluar, diçka më pak se sa pritej, por sidoqoftë mjaftueshëm për ta sjellë papunësinë në nivelin më të ulët në shtatë vjet. I vetmi zhgënjim ishin pagat.
Me 5.3 për qind - papunësia në SHBA arriti nivelin më të ulët që nga prilli i vitit 2008. Por analistët thonë se kjo pjesërisht ndodh sepse ka patur më pak amerikanë që kanë kërkuar punë. Një zhgënjim i madh ishte se pagat mesatare për orë nuk patën rritje. Kjo mund të ndryshojë kur punëdhënësit të fillojnë të konkurrojnë për punëtorë të kualifikuar, thotë eksperti i financave Gus Faucher me Skype.
\"Mendoj se do të shohim një rritje të fortë të pagave ndërkohë që shërimi ekonomik, por ky ka qenë një aspekt zhgënjyes.\"
Por, megjithëse pagat nuk kanë ndryshuar,Presidenti Barack Obama i kujtoi studentët në Universitetin e Wisconsin-it se, kur ai erdhi në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2009, papunësia ishte rreth 10 për qind dhe gati 12 milion njerëz ishin pa punë.
\"E marrë në tërësi, kemi patur 64 muaj radhazi rritje të vendeve të punës në sektorin privat; një rekord të ri me 12.8 milion vende të reja pune. Kjo është gjë e mirë. Por kemi shumë punë për të bërë, sepse duhet të rrisim pagat e njerëzve, që ata ta ndjejnë se puna po u shpëblehet.\"
Shtimi i vendeve të punës ishte i madh në shërbimet e biznesit, e ndjekur nga kujdesi shëndetësor dhe shitjet me pakicë. Por vendet e punës në industri dhe ndërtim patën pak ndryshim.
Megjithatë, edhe ky shtim i vendeve të punës mund ta nxisë Bankën Qendrore të nisë rritjen e interesave në fillim të shtatorit, thotë Beth Ann Bovino e firmës Standard and Poor \'s.
\"Mendoj se kur Banka Qendrore të shohë këtë shtim mesatar prej 250 mijë vendesh pune në muaj gjatë vitit të fundit, do të ndjehet mjaft e sigurt se ka ardhur koha të rrisë interesat.\"
Banka qendrore amerikane i ka mbajtur normat afatshkurtra të interesit pranë zeros që nga viti 2008 për të ulur kostot e huamarrjes dhe për të rritur investimet e biznesit. Banka do të shqyrtojë edhe dy raporte të tjera për vendet e punës deri në muajin shtator, kur të bëjë takimin e saj të rëndësishëm.