Niveli i krimit dhe korrupsionit në Kosovë ende mbeten të larta
Prishtinë, 30 tetor - Kosova është pranuesi më i madh i ndihmës financiare të BE-së për kokë banori në botë dhe është strehë e misionit më të madh civil për menaxhimin e krizave që është lansuar ndonjëherë nga Bashkimi (EULEX).
Gjykata Evropiane e Auditorëve ka audituar asistencën e BE-së në Kosovë në fushën e sundimit të ligjit.
GJEA konsideron se kjo asistencë nuk ka qenë mjaft efektive. Edhepse BE-ja ka ndihmuar në ndërtimin e kapacitetit, sidomos në fushën e doganave, asistenca për policinë dhe gjyqësorin ka pasur një sukses shumë modest.
Niveli i krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë ende mbeten të larta. Gjyqësori vazhdon të vuajë nga ndërhyrja politike, joefikasiteti dhe mungesa e transparencës dhe implementimit.
Kapaciteti i kufizuar i Kosovës për të mbrojtur dëshmitarët kryesorë dhe vështirësitë në rivendosjen e dëshmitarëve jashtë vendit janë mangësi të rëndësishme. Pothuajse nuk ka pasur fare progres në themelimin e sundimit të ligjit në Veri të Kosovës.
Autoritetet kosovare i japin prioritet jo të mjaftueshëm sundimit të ligjit, ka thënë Gijs de Vries, anëtar i GJEA-s, përgjegjës për raportin, dhe mbështetja e BE-së duhet të jetë më efektive.
Për dallim nga pjesa tjetër e Ballkanit Perëndimor, në rastin e Kosovës stimulimi për pranim potencial në BE është rrezikuar nga mungesa e një pozicioni të përbashkët të BE-së për pavarësinë e saj.
Komisioni Evropian dhe Shërbimi Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS) kanë pranuar konkluzionet dhe rekomandimet e GJEA-së.
Raportet speciale të Gjykatës Evropiane të Auditorëve (GjEA) publikohen gjatë tërë vitit, duke paraqitur rezultatet e auditimeve të përzgjedhura të fushave buxhetore ose temave menaxhuese specifike të BE-së.
Ky raport special adresoi nëse asistenca e BE-së në Kosovë në fushën e sundimit të ligjit është efektive. Kjo Gjykatë ka vlerësuar nëse asistenca po arrin rezultatet e saj të parapara dhe se çfarë ka qenë ndikimi i saj në progresin e përgjithshëm në fusha të ndryshme të sundimit të ligjit (polici, gjyqësor, dogana, anti-korrupsion).
Është hulumtuar po ashtu menaxhimi i asistencës, veçanërisht sa i përket koordinimit dhe menaxhimit të EULEX-it. Ky auditim ka përfshirë një mostër të shtatëmbëdhjetë intervenimeve të BE-së në Kosovë.
Gjatë periudhës 1999-2007, Kosova ka pranuar 3.5 miliardë euro asistencë donatore, dy të tretat e të cilave kanë ardhur nga Komisioni Evropian dhe Shtetet Anëtare të BE-së. Në mes të vitit 2007 dhe 2011, asistenca e BE-së për sundim të ligjit përmes IPA-së dhe EULEX-it ka shënuar gjithsej rreth 1.2 miliardë euro.
Efektiviteti i kufizuar i asistencës së BE-së mund të shpjegohet nga rrethanat specifike të Kosovës, përfshirë pikën fillestare të ulët në pavarësi për ndërtimin e sundimit të ligjit. Sidoqoftë, auditimi ka gjetur se ekzistojnë fusha të konsiderueshme ku menaxhimi më i mirë nga ana e EEAS dhe Komisionit ka mundur të bëjë që asistencën e BE-së të jetë më efektive. Kjo është pavarësisht nga përmirësimet që ata i kanë bërë gjatë periudhës së audituar.