20 Nëntor 2024

Nisin negociatat për bashkëpunimin mes Kosovës dhe Gjermanisë

Prishtinë, 5 qershor - Në Ministrinë e Financave sot  janë mbajtur negociatat bilaterale për zhvillimin e bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë.

Ministri i Financave Besim Beqaj, njëherit edhe kryesues i ekipit  negociues nga Qeveria e Kosovës, shprehi falënderimet për kontributin e vazhdueshëm që shteti gjerman i ka dhënë shtetit të Kosovës, dhe tha se Gjermania ka ofruar mbështetje të vazhdueshme politike, diplomatike dhe të zhvillimit ekonomik të vendit.

"Ne jemi tejet të nderuar që kemi një vend mik si Gjermania dhe populli gjerman. Gjithashtu shfrytëzoj rastin që  të shpreh komplimentet e mia për stafin e ambasadës tuaj në Kosovë, dhe agjencitë mbështetëse si GIZ dhe KfW, me të cilat kemi një bashkëpunim të shkëlqyer”. 

“Gjermania është kontribuuesi dhe donatori më i madh i Kosovës. Prej vitit 1999 deri më tani ju keni kontribuar në zhvillimin e Kosovës në shumën prej € 420 milionë të cilat janë dhënë dhe zotuar si donacione dhe financime për projekte në fusha të ndryshme."

"Ndërsa, sot ne kemi paraqitur disa projekte që janë të rëndësishme për jetën e qytetarëve e që janë në fushën ku ata pritet që të investojnë prej 21 milionë euro brenda këtij viti”,  tha Ministri Beqaj .

Ministri Beqaj edhe një here theksoi se prioritet i Qeverisë së Kosovës është ruajtja e qëndrueshmërisë makrofiskale dhe anëtarësimi në Bashkimin Evropian.

Në anën tjetër , ambasadori gjerman në Prishtinë , Peter Blomeyer, njëherit kryesues i  ekipit negociues nga Qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë, shprehi përkushtimin e Qeverisë gjermane që të ndihmojë Qeverinë e Kosovës në realizimin e shumë projekteve të cilat kanë të bëjnë me përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve dhe rritjen e punësimit tek të rinjtë.

Ambasadori Blomeyer theksoi se Qeveria e Gjermanisë do të vazhdojë të mbështesë Kosovën edhe më tutje me projekte të ndryshme, të cilat ndikojnë në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve të Kosovës, ku sipas tij furnizimi me ujë të pijshëm, shkarkimi i  ujërave të zeza dhe furnizimi me ngrohje janë pikat ku ata janë të interesuar të investojnë.

Ndërsa, Stefan Mironjuk, nga Divizioni për Bashkëpunim me Evropën Juglindore në Ministrinë Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim në Qeverinë e Gjermanisë,  theksoi se “Qeveria gjermane është e përkushtuar që të mbështesë Kosovën në rrugën e saj drejt një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik.

Të dy delegacionet shprehën gatishmërinë për përkushtimin maksimal të tyre në këtë proces të mbylljes së negociatave me qëllim të avancimit të bashkëpunimit të ndërsjellët në çdo drejtim.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)