Nisin Javët e Biznesit Kosovar 2013
Prishtinë, 25 nëntor - Ka nisur manifestimi Javët e Biznesit Kosovar 2013, i organizuar nga Aleanca Kosovare e Bizneseve dhe i mbështetur nga institucionet shtetërore.
Ky projekt tradicional organizohet për të njëmbëdhjetën herë dhe në të cilin po marrin pjesë biznese nga të gjitha trevat shqiptare ku po ekspozojnë mijëra prodhime shqiptare.
Qëllimi i Javëve të Biznesit Kosovar, është informimi i qytetarëve për konsumimin e prodhimeve vendëse, e të cilat meritojnë një trajtim më të mirë dhe konsum nga qytetarët.
Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve, tha se ky projekt tashmë tradicional realizohet për të njëmbëdhjetën herë dhe i cili ka rritur që të sensibilizoi qytetarët e Kosovës për konsumimin e prodhimeve vendëse.
Më 2003 kur nisi për herë të parë realizimi i projektit, shumë nga bizneset ishin skeptik rreth organizimit, por me mbështetjen e institucioneve dhe të tjerëve projekti vazhdoi rrugëtimin e gjatë dhe të suksesshëm që kaloi mbi 100 mijë kilometra, ku u promovuan prodhimet vendëse nga njëri qytet e shtet në tjetrin , tha Shahini.
Sipas tij sllogani Unë konsumoi prodhime vendëse po ju ka vazhduar për njëmbëdhjetë vjet rend dhe ka për qëllim, ngritjen e vetëdijes së konsumimit të prodhimeve vendëse që prodhimet e huaja të zëvendësohen me ato të Kosovës. Ai shtoi se ishte një rrugë e gjatë dhe prodhuesi përballen me sfida të ndryshme dhe ende bizneset vendëse vuajnë nga politikat jo të mira.
Kryetari i AKB-së, kërkon nga qytetarët e Kosovës që të konsumojnë prodhime vendëse, sepse sipas tij cilësia e tyre është e nivelit të lartë, ku shumë prodhues janë pajisur edhe me certifikata ndërkombëtare të cilësisë së prodhimeve.
Institucionet e Kosovës duhet të krijojnë politika më të mira për prodhuesit vendës. Shumica e premtimeve të dhëna nuk munden të realizohen pa rritjen e biznesit vendës dhe eksportit dhe institucionet duhet të krijojnë lehtësira për prodhuesit vendës. Nëse nuk ka politika të mira për biznesin vendës, ato qeveri nuk do të kenë jetë të gjatë, tha Agim Shahini.
Sipas tij institucionet nuk duhet ti trajtojnë bizneset vendëse sikur ato të huajat, por të ketë politika më të mira për prodhuesit vendëse në krahasim me importuesit e jashtëm. Pa prodhim vendës nuk mund të ketë zhvillim, nuk mund të ketë rritje ekonomike dhe punësime të qytetarëve.
Fadil Ismajli, ministri i Zhvillimit Ekonomik, tha se të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të konsumojnë prodhime vendëse dhe konsumimi i prodhimeve do të rezultonte më shumë edh në zhvillime të përgjithshme në Kosovë.
Ai tha se nga realizmi i projekteve të tilla sigurisht edhe rezultatet janë të mira.
Konsumimi i prodhimeve të Kosovës do të ndikonte pozitivisht në zhvillimin ekonomik, po ashtu do të ndikonte që parat të mbeten brenda në vend dhe të ketë edhe ngritje të bizneseve vendore. Konsumimi do të ndikonte që prodhuesit vendës të kenë më shumë para për të investuar, zgjedhuar dhe për ti bërë bizneset e tyre edhe më të qëndrueshme, tha ministri Ismajli.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, shtoi më tej se po ashtu do të ndikonte që prodhimet të jenë edhe më kualitative dhe do të krijoheshin vende të reja pune.
Ragmi Mustafa, kryetar i Komunës së Preshevës, tha se Kosova Lindore merr pjesë në të gjitha aktivitete që zhvillohen në Kosovë . Edhe prodhimet e Luginës konsideroni si prodhime të Kosovës, sepse edhe ajo pjesë është Kosovë , tha i pari i Komunës së Preshevës.
Ai vlerësoi lart realizmit e aktiviteteve për konsumimin e prodhimeve vendëse dhe kërkoi nga institucionet e Kosovës që edhe për prodhuesit e këtij rajoni të ketë politika më të lehta.
Lam Kallaba, nga Klubi i Biznesit të Anamalit nga Mali i Zi, kërkoi që konsumimi i prodhimeve vendëse të jetë më i madh nga qytetarët shqiptar në të gjitha viset. Krahas turistëve nga Kosova dëshirojmë që edhe prodhimet e juaja të jenë në tregun e Malit të Zi, tha Kallaba.
Sipas tij prodhimet nga Kosova janë të cilësisë së lartë dhe konsumimi i tyre edhe në Malë të Zi, sidomos në viset ku janë shqiptarët konsumohen mjaft.
Karnevali Javët e Biznesit Kosovar 2013 me 26 nëntor (të martën) vazhdon në Prizren, me 27 nëntor Pejë, 29 nëntor në Mitrovicë dhe do të vazhdoj gjatë gjithë Javëve nëpër tërë Kosovën dhe më gjerë deri më datën 26 dhjetor 2013.