Nisen miliardat e para për Greqi
Bruksel, 18 maj - Vendet e zonës së euros i kanë dhënë dritën jeshile ndihmave të para në vlerë prej miliarda eurosh për Greqinë e rrezikuar nga falimentimi.
Këtë të martë në llogaritë e Greqisë do të kalohen 14,5 miliardë euro kredi nga vendet e zonës së euros, kumtoi komisioneri i Financave Olli Rehn, pas këshillimeve me ministrat e financave në Bruksel. Ndërsa 5,5 miliardë euro të tjera do të jepen nga FMN-ja.
Ministrat e financave kanë lavdëruar masat e fundit për kursime në Spanjë dhe Portugali. Ministri gjerman i Financave Wolfgang Schäuble tha, se nuk pret ndonjë rezistencë prej Britanisë së Madhe, sa i përket fondeve hedge.
Është parashikuar që këto fonde në të ardhmen detyrimisht të paraqesin strategjitë e tyre për blerjen e letrave me vlerë. Sipas të dhënave nga Brukseli asnjë prej pjesëmarrësve nuk ka kundërshtuar as masat për taksa mbi transaksionet financiare.