18 Nëntor 2024

Nis projekti për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme

Prishtinë, 10 prill - Sot, në një konferencë, u prezantua projekti për mbështetjen e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, të cilat do të mund të përfitojnë mjete për zhvillimin e bizneseve.

Ky projekt financohet nga Bashkimi Evropian dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë si dhe implementohet nga Organizata Ndërkombëtare për Migrim, misioni në Kosovë (IOM).

Me këtë rast, shefi për bashkëpunim i Zyrës së Bashkimit  Evropian në Kosovë, Christof Stock, potencoi se është hera e parë, që po implementohet një projekt i dedikuar  për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme.

“Ne kemi filluar te implemenojmë një skemë te granteve me një kontribut te madh nga ana e MTI-së. Kështu që 25 për qind e gjithë skemës vjen nga buxheti i ministrisë, nga 4 milionë, 1 milion financohet nga ministria, por në anën tjetër, një mundësi unike, sepse ne asnjëherë nuk kemi pasur skemë të grandeve që përfshin  edhe për mikro-ndërmarrjet përpos atyre të vogla dhe ato të mesme. Natyrisht ne kemi pasur EURED dhe te tjera, por jo shumë specifike sikur kjo e fundit”, ka thënë Stock.

Ndërsa, Bernard Nikaj, ministër i Tregtisë dhe Industrisë theksoi se sot po fillon një proces, i cili do të jetë hyrje në ofrimin e sa më shumë skemave për bizneset mikro, të vogla dhe të mesme me fokus të veçantë në prodhim dhe eksport.

“Ne, varësisht  nga suksesi i kësaj skeme, do të vazhdojmë me këto programe të tilla, por edhe më të mëdha se këto që i kemi tani. Dua t’i përmend se, përveç kësaj skeme, ne kemi edhe disa iniciativa tjera që në mënyrë të veçantë i adresojnë ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, si dhe adresimi i sfidave që ballafaqohen  këto ndërmarrje në një ambient biznesi siç është ky.\"

\"Po ashtu jemi duke punuar që ta lansojmë një skemë të garantimit të kredive me një vlerë prej afro 12 milionë eurosh, që ka për qëllim lehtësimin në qasje në financa”, theksoi ministri Nikaj, duke shtuar se Qeveria e Kosovës luan një rol aktiv në këtë fushë në përkrahjen, promovimin dhe në ndërtimin e një skeme të tillë për të ndihmuar sektorin privat.

Ai shtoi se sfida e jonë dhe në përgjithësi e qeverisë dhe e sektorit privat  është të ndërtojmë një sektor privat që do të jetë konkurrues nëpër treg, e për të qenë konkurrues ne do të sigurojmë kualitet dhe programe që përkrahin një kualitet. “Të gjitha këto iniciativa, duke u nisur nga skema që po e lansojmë sot kanë për qëllim të promovojnë mbështetjen për sektorin privat”, theksoi Nikaj.

Jorge Baca, shef i misionit të organizatës ndërkombëtare për migrim (IOM) në Kosovë, ofroi informacione të detajuara për Thirrjen për Aplikim dhe specifikoi që kjo thirrje do të ndahet në dy lote, e para për ndërmarrjet mikro për grante që kapin shumën minimumale prej 10 mijë euro dhe maksimale deri në 25 mijë euro. Dhe loti dy është për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme,  për të cilat vlera e granteve  kap shumën prej 60 mijë e deri në 200 mijë eurosh.

Z. Baca gjithashtu theksoi se informacionet relevante lidhur me Thirrjen për Aplikim duke përfshirë udhëzimet dhe pakon e plotë për aplikim mund të gjendet dhe shkarkohet online nga ueb-faqja e IOM-it: http://www.iomkosovo.org/MSME.html.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)