Nis fushata vetëdijësuese për të ruajtur ambientin
Prishtinë, 10 gusht - Sot do të nis projekti EkoRiciklArt i cili ka qëllimin e saj kryesor vetëdijesimin dhe sensibilizimin e shoqërisë për të ruajtur ambientin ku jetojmë dhe veprojmë njëherish duke kontribuar për shoqërinë.
EkoRicikl'Art është një nismë që ka për synim të rrisë njohuritë e komunitetit për rëndësinë e artit ekologjik duke implementuar praktika ekologjike në shërbim të kërkesave dhe nevojave të shoqërisë.
Kjo nismë ofron një program të mirëfilltë të ripërdorimit të materialeve e gjësendeve të ndryshme duke ndihmuar për krijimin e një mjedisi sa më të qëndrueshëm me më pak mbeturina.
Qëllimi i projektit është të ndërgjegjësohen dhe informohen grupmosha të ndryshme të komunitetit në tërësi për shfrytëzimin e mbetjeve te përpunueshme, riciklimin e tyre për të përfituar objekte që kanë vlerë dhe përdorim të njëjtë ose më të madh se materiali fillestar, si produkte arti dhe dizajni të ri shfrytëzueshme për të përmbushur nevojat e shoqërisë në aspektin praktik.
Ky projekt parashihet të realizohet në 4 faza, për një periudhe 10 ditore.
Në 6 ditët e para të projektit zhvillohet faza e parë, ku parashihet fushata vetëdijësuese në 6 qytetet më të industrializuara të Republikës së Kosovës (Prishtinë, Prizren, Pejë, Mitrovicë, Gjakovë, Ferizaj), ku do të bëhet edhe mbledhja e materialeve të riciklueshme, përkatësisht materiale si paleta druri ,goma të makinave, materiale prej qelqi, plastike etj. Këto materiale do te ripërdoren për krijimin e objekteve te ndryshme, me funksion tërësisht ndryshe nga origjina e tyre.
Në fazën e dytë dhe te tretë te projektit ku përfshihet një seminar, një punëtori 1 ditore me studentë ,një ekspozitë në shesh, pastrimi dhe inventarizimi i nje hapësire te parkut të Gërmisë me produktet e nxjerra nga punëtoria e EkoRicikl'Art, përderisa faza e katërt e projektit do të realizohet 5 ditë pas përfundimit të fazës së tretë dhe do të jetë përmbyllëse duke promovuar dokumentarin për këtë projekt.