Nis funksionimin Banka Ndërkombëtare e uraniumit të pasuruar
Vjenë, 13 qershor - Në Vjenë nisi të hënën takimi i dytë i Këshillit të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore (IAEA), në fokus të të cilit është siguria bërthamore globale, shfrytëzimi i teknologjisë bërthamore, programet bërthamore të Iranit, Koresë së Veriut, Sirisë etj.
Sekretari i Përgjithshëm i kësaj agjencie Yukiya Amano deklaroi se më 29 gusht do të nisë funksionimin Banka Ndërkombëtare e uraniumit të pasuruar në masë të ulët.
Në takimin e Vjenës morën pjesë përfaqësues të 35 vendeve anëtare të Këshillit. Sekretari i përgjithshëm i agjencisë Yukiya Amano bëri të ditur në fjalën e tij se ceremonia e përurimit të Bankës do të bëhet më 29 gusht dhe ky do të jetë institucioni i parë i rezervës së uraniumit të pasuruar në masë të ulët.
Yukiya Amano tha se Banka do të garantojë ofrimin e uraniumit të pasuruar në masë të ulët për vendet me energji bërthamore. Në të ardhmen, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore do të hartojë planin e blerjes së uraniumit të pasuruar në masë të ulët dhe do të dërgojë të gjitha rezervat e uraniumit në selinë e Bankës në Kazakistan.
Tema tjetër e këtij takimi ishte shfrytëzimi i teknologjisë bërthamore në fushën civile. Yukiya Amano u shpreh në raport se vitin e kaluar, fushat e rëndësishme të bashkëpunimit në sektorin e energjisë atomike përfshinë shëndetin dhe ushqimet, sigurinë e energjisë bërthamore dhe bujqësinë.
Si shembull për këtë ai mori fondet e dhëna nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore Fixhit për ndërtimin e qendrës së parë të luftës kundër kancerit, fondet e akorduara Sri Lankës për shërbime mjekësore moderne, ndihmën në fonde për luftimin e virusit Zika, fondet e dhëna për sektorin e bujqësisë dhe kultivimin e drithërave në vendet e Amerikës Latine.
Yukiya Amano nënvizoi se është rritur interesi global ndaj energjisë bërthamore. Në këtë drejtim ai përmendi funksionimin e 449 reaktorëve të energjisë bërthamore në 30 vende të botës. Gjatë dy viteve të kaluara, 20 reaktorë të rinj të energjisë bërthamore janë vënë në funksionim, si dhe po ndërtohen 60 reaktorë të energjisë bërthamore, kryesisht në Azi.
Gjatë punimeve të tij Këshilli do të vlerësojë zbatimin e marrëveshjes së programit bërthamor të Iranit, do të diskutohet programi bërthamor i Koresë së Veriut dhe ai i Sirisë.
Yukiya Amano në fjalën e tij i kushtoi vëmendje të posaçme planeve bërthamore të Koresë së Veriut dhe shprehu \"keqardhje të thellë\" për moszbatimin e Rezolutës përkatëse të Këshillit të Sigurimit të OKB-së nga Koreja e Veriut.
Kreu i IAEA-s bëri thirrje për pjesmarrjen e vendeve të ndryshme në Marrëveshjen e Sigurisë Bërthamore, për të garantuar shfrytëzimin e sigurt të energjisë bërthamore.