Nis dialogu ndërmjet Kosovës dhe BE-së për IPA 2019 dhe IPA 2020
Prishtinë,
25 qershor - Sot, është mbajtur takimi iniciues i procesimit të
programeve kombëtare për Kosovën, IPA 2019 dhe IPA 2020, të financuara
nga Bashkimi Evropian, ku morën pjesë Ministrja e Integrimit Evropian,
Dhurata Hoxha, drejtues të Zyrës së BE-së, diplomatë dhe drejtues
institucionesh ekzekutive të Qeverisë së Kosovës.
Në hapjen zyrtare, u prezantua qasja e përbashkët që do të ndiqet nga
ana e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Ministrisë së Integrimit
Evropian si koordinuese nga ana e Kosovës, për afatet kohore të
procesit të programimit, sektorët që do të përkrahen nga këto programe.
Ministrja Hoxha, në cilësinë e Koordinatores Kombëtare për IPA tha se
"Qëllimi jonë është që duke filluar prej tani e deri në mesin e vitit të
ardhshëm, të kryejmë gjithë procesin e programimit të IPA 2019 dhe IPA
2020, ashtu që më pas, të kemi kohë të përqendrohemi në fazën e
planifikimit për instrumentin e ri që do të zhvillohet për periudhën e
re financiare të BE-së, 2021-2027”.
Ministrja theksoi se pret nga përfaqësuesit e Zyrës së BE-së të na
njoftojnë rreth kufijve financiarë të programeve 2019 dhe 2020, afatet e
nevojshme për të dorëzuar kërkesat te BE-ja për financim, rreth
sektorëve të cilët do të financohen, si dhe rreth modaliteteve të
zbatimit të projekteve në këta sektorë.
“Ministria ka pranuar një numër propozimesh nga ana e institucioneve
tona dhe ne e kemi njoftuar paraprakisht Zyrën e BE-së për këto
kërkesa."
"Duke filluar nga sot, së bashku të nisim një dialog ndërmjet
institucioneve të Kosovës dhe BE-së rreth ideve më të mira për
mbështetje, duke u bazuar në kufijtë financiar të cilët janë vendosur
nga BE-ja. Prandaj, ftoj përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës që
sot të prezantojnë propozimet për projektet e tyre dhe të paraqesin se
cilat janë prioritetet më të rëndësishme të tyre”, theksoi Ministrja
Hoxha.
Pas fjalës hyrëse të Ministres Hoxha, u paraqiten propozimet dhe
projektet që priten të financohen nga BE-ja, me IPA 2019, IPA 2020.