Nis cikli i parë i seminareve me tatimpagues për vitin 2020
Prishtinë, 21 shkurt - Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) në bashkëpunim me Këshillin Kosovar për Raportim Financiar (KKRF) ka nisur ciklin e parë të seminareve me tatimpagues për vitin 2020.
Temat të cilat po prezantohen në këto seminare janë:
Risit në Administratën Tatimore të Kosovës; Aplikimi i ngarkesës së kundërt për TVSH në ndërtimtari, deklarimi vjetor PD, CD dhe DO dhe risitë sipas ligjit të ri për kontabilitet, raportim financiar dhe auditim.
Deri më tani seminaret janë mbajtur në Prizren, Ferizaj, Gjakovë, Mitrovicë, ndërsa dje është mbajtur seminari me tatimpaguesit e regjionit të Prishtinës, për të cilin interesimi i tatimpaguesve ishte i jashtëzakonshëm, interesimi i njëjtë ka qenë edhe në të gjitha qendrat e tjera ku janë mbajt seminaret.
Në seminar ishte edhe drejtori i Përgjithshëm i ATK-së Ilir Murtezaj, i cili falënderoj tatimpaguesit për interesimin e tyre për të përcjell seminarin, po ashtu drejtori Murtezaj tha se ATK do të vazhdoj të punoj në avancimin e shërbimeve ndaj tatimpaguesve, në mënyrë që t’ju bëhet më e lehët përmbushja e detyrimeve tatimore.
Gjatë këtyre seminareve, pjesëmarrësit parashtruan pyetje të ndryshme, lidhur me temat e prezantuara, si dhe pyetje të tjera lidhur me Legjislacionin Tatimor. Për të gjitha pyetjet e parashtruara nga pjesëmarrësit, janë ofruar përgjigje adekuate nga prezantuesit e temave në seminar.
Në të gjitha seminaret të mbajtura deri më tani numri i pjesëmarrësve ishte mjaft i lartë, ku pjesëmarrës ishin: organizata biznesi, OJQ apo përfaqësues të tyre, përfaqësues të njësive të përhershme, kontabilistë dhe qytetarë të interesuar.
Seminari me temat e lartëpërmendura do të mbahet ditëve në vijim edhe në Gjilan dhe Pejë.