Ngriten kapacitetet për konfiskimin e pasurisë së fituar me krim e korrupsion
Prishtinë, 13 gusht - Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka pritur sot në takim u.d. Shefin e EULEX-it, Bernd Thran me të cilin kanë biseduar për bashkëpunimin e institucioneve të sundimit të ligjit dhe trendëve të reja që janë duke zënë vend brenda sistemit të drejtësisë.
Gjatë këtij takimi, Ministri Tahiri ka kërkuar thellimin e bashkëpunimit në ngritjen e kapaciteteve profesionale të gjyqtarëve dhe prokurorëve, me theks të veçantë në konfiskimin e pasurisë së paligjshme.
“Ndër politikat më të rëndësishme që kam drejtuar si Ministër i Drejtësisë, ka qenë ajo e konfiskimit të pasurisë së fituar me vepra penale. Sot jemi të vendosur për ta parë drejtësinë në vepër, në konfiskimin e secilës pasuri të fituar nga krimi e korrupsioni” ka thënë ministri Tahiri.
Ministri Tahiri shtoi se me zbatimin e ligjit të ri për konfiskimin e pasurisë, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar do të marrë karakter të fuqishëm dhe të pa kompromis.
“Si shoqëri ne ende kemi sfida që burojnë nga korrupsioni dhe krimi i organizuar. Përgjigjja më e mirë ndaj këtyre dukurive, përveç ndjekjes penale, është edhe konfiskimi i çdo pasurie të fituar me krim dhe korrupsion, nga gjësendet e imta deri tek asetet multimilonëshe. Ne do ta bëjmë ligjin e ri për konfiskimin e pasurisë armë kryesore kundër korrupsionit e krimit të organizuar. Zbatimi i këtij ligji duhet të marrë karakter të fuqishëm dhe për këtë, prokurorët dhe gjyqtarët që shërbejnë në sistemin e drejtësisë po përgatiten e duhet të përgatiten edhe më tej” ka thënë ministri Tahiri.
Gjatë takimit u diskutua edhe për masat e Agjendës ‘Drejtësia 2020” si dhe proceset e monitorimit të gjyqësorit nga ana e EULEX-it.