Ngadalësohet rritja ekonomike e Kinës
Pekin, 21 janar - Ekonomia e Kinës është rritur me ritmin më të ngadaltë në 24 vite ndërsa kjo prirje parashikohet të vazhdojë edhe gjatë këtij viti, sipas një raporti të publikuar sot nga byroja kombëtare kineze e statistikave.
Pas këtyre të dhënave, Fondi Monetar Ndërkombëtar uli parashikimin për rritjen globale gjatë dy viteve të ardhshme.
Qeveria kineze tha të martën se ekonomia e vendit u rrit me vetëm 7.4 përqind në vitin 2014, nga 7.5 përqind që ishte parashikuar.
Analistët thonë se ritmi nuk është aq keq sa mund të kishte qënë, duke patur parasysh një vit kur kreditë e këqija arritën kulmin, dhënia e kreditit u ul ndjeshëm, siç ranë edhe çmimet e shtëpive. Ma Jiantag është me byronë e statistikave në Kinë.
Ekonomia e Kinës ka arritur përparim të qendrueshëm, dhe me atë që mund të quhet normaliteti i ri i 2014, ka shënuar përmirësim cilësor. Por gjendja e brendëshme dhe ajo ndërkombëtare është ende e komplikuar dhe zhvillimi ekonomik i Kinës përballet me vështirësi dhe sfida.
Rënia e vlerës së pronave pritet të vazhdojë të rëndojë ekonominë gjatë 2015-tës, me mundësinë për të prekur edhe sektorë të tjerë të ekonomisë.
Ekspertët shqetësohen nga mundësia e një cikli deflacioni që mund të ngadalësojë kërkesën në shumë sektorë të industrisë së brendëshme kineze.
Banka Botërore thotë se vazhdimi i ngadalësimit të rritjes ekonomike të Kinës mund të ndikojë tek tregjet ndërkombëtare duke ulur efektin pozitiv të shtimit të aktivitetit ekonomik në tregjet amerikane dhe ato britanike të punës.