Ngadalësohet ekonomia indiane
New Delhi, 30 gusht - Të dhënat e fundit zyrtare të ekonomisë më të madhe të një vendi në zhvillim, Indisë, tregojnë se trendi shqetësues i ngadalësimit vazhdon të përshpejtohet.
Banka Qëndore e Indisë raportoi se rritja për tremujorin prill-qershor ishte prej 4,4%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Megjithatë, të dhëna të tilla ishin zhgënjyese, krahasuar me semestrin e parë të vitit, kur PBB u rrit me 4,8%.
Një kontradiktim në sektorin minerar dhe atë prodhues ishin përgjegjës për reduktimin e rritjes.
\"Nuk duam t\'i biem kambanës së alarmit, por shqetësimi ynë për një rikthim të niveleve të dëshiruara të rritjes nuk është i mbivlerësuar\", deklaroi Chandrajit Banerjee, drejtori i përgjithshëm i Konfederatës Industriale Indiane.
\"Ekonomia ka nevojë për një vëmendje specifike, e cila të mos varet nga ndryshimet e përditshme politike\", shtoi ai.
Të dhënat zhgënjyese rrisin presionin mbi kryeministrin Manmohan Singh, i cili iu drejtua më parë gjatë së premtes parlamentit mbi problemet ekonomike të vendit.
Në dekadën e viteve 1990 dhe 2000, ekonomia indiane u rrit me një mesatare prej 7% në vit, çka kontribuoi në nxjerrjen nga varfëria të qindra miliona indianëve dhe ndihmoi që India të shndërrohej në vendin me ekonominë e tetë më të madhe të botës, krahasuar me PBB-në e përgjithshme.
Shifra të tilla vendosin në rrezik edhe një plan të përpiluar më herët nga qeveria, për një skemë të subvencionimit të ushqimeve bazë për 800 milionë shtetas të varfër, me një kosto të përgjithshme financiare prej 25 miliardë dollarësh në vit, ndërsa shqetësues paraqitet edhe inflacioni i skajshëm i monedhës vendase rupi, që ka humbur pothuajse 50% të vlerës me dollarin në një vit.