Nga viti i ardhshëm nis aplikimi i sistemit të letrave me vlerë
Prishtinë, 21 nëntor - Nga fillimi i vitit të ardhshëm, për herë të parë në vendin tonë pritet të nis së aplikuari sistemi i letrave me vlerë me anë të cilit një pjesë e mjeteve të Trustit të Kursimeve Pensionale do të kthehen në vend.
Ndryshe nga emërtimi, këto letra me vlerë nuk do të jenë të letrës, por do të shit-blehen përmes platformës elektronike.
Ky projekt që ka marrë edhe mbështetjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar pritet ti fusë në funksion një përqindje të konsiderueshme të Fondit të Trustit të Kursimeve Pensionale. Ministri i Financave, Bedri Hamza për Radion \'\'Blue Sky\'\', ka deklaruar se qëllimi është zhvillimi i ekonomisë.
Qëllimi ynë është që mjetet financiare, kapitalin financiar të Kosovës ta vendosim në funksion të zhvillimit ekonomik të saj. Dihet se paratë e Trustit pjesa më e madhe e tyre janë të angazhuar në tregjet financiare jashtë vendit. Ne dëshirojmë që të rritet niveli i përqindjes ku Bordi i Trustit në bazë të rregullave të ekonomisë së tregut ka të drejtë që të investojë këto mjete në Kosovë, në sferën ku ata konsiderojnë.
Ministri Hamza njoftoi se huazimi i mjeteve nuk do të jetë detyrues për asnjë institucion, por do të bëhet në bazë të interesave dhe vendimeve të bordeve udhëheqëse.
Është çështje e politikave dhe rregullave të Bordit ku ata dëshirojnë të investojnë
dhe normalisht dëshirojmë të krijojmë mundësinë që nëse Bordi ka interes në bazat e rregullave të ekonomisë së tregut dhe qeveria ka interes dhe janë kushtet e përshtatshme deri në lartësi që të ketë mundësi që ti huazojë mjete edhe nga ky institucion, por jo që të jetë detyruese kjo as për Bordin por as për qeverinë.
Rreth 74 milionë euro pritet të jetë vlera e letrave me vlerë, e paraparë edhe me Projektligjin për buxhet të vitit të ardhshëm. Sipas zyrtarëve nga Ministria e Financave, megjthë emërtimin, këto letra nuk do të jenë të letrës, por do të shit-blehen përmes platformës elektronike.
Ndryshe edhe pse Banka Qendrore e Kosovës do të jetë mbështetëse dhe mbikëqyrëse e tregut të letrave me vlerë, zyrtarët e saj nuk deshën të prononcohen me zë dhe të japin më shumë informacione për opinionin.
/RTK/