Nga 1 korriku bashkatdhetarët, paguajnë 50 për qind më lirë
Prishtinë, 9 qershor - Kryesuesi i Asamblesë së Përgjithshme të Byroja Kosovare të Sigurimit (BKS), Rrahim Pacolli, ka njoftuar të gjithë bashkatdhetarët që nga data 01.07.2015, me rastin e hyrjes në vendlindje do të pajisen me polica të sigurimit kufitar, me tarifa të reja, 50 % më të ulëta se sa ato që kanë qenë deri tash.
Në cilësinë e kryesuesit të mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të BKS-së, ftova anëtarët e tjerë për mbledhje për të diskutuar në lidhje me zbritjen e tarifave të sigurimit kufitar. Përveç drejtorit të BKS-së, zëvendës drejtorit dhe drejtorit të një kompanie të sigurimit, të gjithë të tjerët bojkotuan mbledhjen. Pavarësisht përpjekjeve të tyre të njëpasnjëshme për të penguar këtë iniciativë dhe dëshirës së madhe për monopol, le të informohen të gjithë bashkatdhetarët që iniciativa e marrë disa javë më parë nga unë dhe Kryeparlamentari Veseli për ulje të tarifave të sigurimit kufitar do të realizohet, dhe atë nga 1 korriku i këtij viti, ka shkruar Pacolli në Facebook.
Sipas tij është i dhimbshëm fakti që bashkatdhetarëve nuk po u vlerësohet kontributi shumëvjeçarë që dhanë për vendlindje.
Para disa ditësh, publikisht kam kërkuar nga Kryeministri, Parlamenti i Kosovës dhe Banka Qendrore që kompanisë e sigurimeve SIGURIA ti lejohet shitja e policave të sigurimit kufitar, në pika kufitare, me 50 % ulje për vetura me pasagjerë , dhe me mbështetjen e tyre nuk do të ketë kthim prapa, ka theksuar Pacolli.