Nesër për herë të parë platforma e parë virtuale, Green Business Expo
Prishtinë, 30 nëntor - Edicioni i 5-të të Green Business Expo fillon nesër, dhe do të mbahet përgjatë dy ditëve, me 1 dhe 2 dhjetor në businessexpo.greenkosovo.com. Organizimi i këtij edicioni i cili këtë radhë do të jetë tërësisht virtual, bëhet në partneritet me GIZ Kosovo, Procredit Bank dhe Ambasadën e Mbretërisë së Holandës në Kosovë.
Green Business Expo do të jetë i disponueshëm në gjuhën shqipe dhe angleze dhe do të vijë me një koncept inovativ dhe në nivel me panairet virtuale ndërkombëtare. Sektorët të cilët do të jenë pjesë këtë edicion janë: Ndërtimi dhe eco – enterieri, Efiçienca e energjisë, Energjia e ripërtërishme dhe Riciklimi.
Duke marr parasysh rrethanat aktuale, Klubi i Prodhuesve të Kosovës ka vendosur që Green Business Expo të mbahet në formë virtuale, kështu duke zhvilluar për herë të parë një platformë të tillë në Kosovë. Por gjithashtu, kemi vazhduar traditën tonë që sa më shumë ti zhvillojmë si prodhimet por edhe shërbimet vendore, duke i promovuar produktet Made in Kosova.
Pjesë e Green Business Expo do të jenë edhe Forumet e Gjelbra, ku ekspertë ndërkombëtarë dhe vendorë do të flasin për tema si sfidat e zhvillimit të qëndrueshëm në Kosovë, përmirësimin e efeçiencës së energjisë në ndërtesa, menaxhimin e mbeturinave dhe demolimit në Kosovë, trajtimin e ndryshimeve klimatike përmes prokurimit publik, si dhe për programet e gjelbra të rimëkëmbjes ekonomike.