Nëse Greqia del nga Euro, rritet papunësia në Eurozonë
Në bazë të parashikimeve të Sekretariatit të Organizatës Ndërkombëtare të Punës, është e qartë se nëse Greqia do të largohet nga zona e euros, kjo do të kishte një ndikim të rëndësishëm negativ në punësim, jo vetëm në këtë vend, por në të gjithë eurozonën, thotë drejtori i ILO-s, në një intervistë mbi çështjet evropiane.
Sipas këtyre parashikimeve, papunësia në këtë rast, do të rritej mbi 17% në eurozonë, madje do të prekeshin edhe vende si Gjermania.
Do të kishim rritje të papunësisë në Gjermani me 26% deri në vitin 2014. Ky është pasqyrimi më i mirë i interesit të përbashkët që duhet të mbizotërojë në BE, shprehet Ryder.
Në përpjekje për të gjetur zgjidhje për krizën në eurozonë, askush nuk duhet të mendojë se dalja e Greqisë apo ndonjë vendi tjetër do të jetë pa kosto, shton Ryder, duke theksuar se ata që e shohin koston vetëm në ndihmën financiare që i japin Greqisë, duhet të marrin parasysh se kostoja e vërtetë, është dështimi i vendit për të qëndruar në euro.
Drejtori i Zyrës Ndërkombëtare të Punës kundërshton edhe një seri reformash që promovohen në Greqi, të tilla si fleksibiliteti në negociatat e punës dhe në sistemin e pagave minimale, ose shkurtimet e pagave për të rritur konkurrencën.
Në lidhje me negociatat kolektive për marrëdhëniet e punës, drejtori i ILO-s, vë në dukje se \"kam frikë që pasojat e ndryshimeve të bëra, thjesht, do të vënë mënjanë në total negociatat kolektive në Greqi.
Nëse do të ndodhë kjo, do të jetë jashtëzakonisht e dëmshme. Gjithashtu vlerëson se në Greqi ka një përçarje të dialogut social, pasi qeveria nuk flet me sindikatat dhe shoqatat, dhe askush nuk flet me askënd. bw