23 Dhjetor 2024

Nëntë organizata përfitojnë Grante për zhvillim organizativ nga KCSF

Prishtinë, 19 gusht - Nëntë organizata nga e tërë Kosova sot nënshkruan kontratat si përfituese të Granteve për zhvillim organizativ, grante këto pjesë të programit EJA Kosovë të KCSF. Këto janë organizatat e para që përfitojnë nga ky lloj i përkrahjes, i veçantë jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon.

Organizatat përfituese janë: Akcioni për Nëna dhe Fëmijë, Handikos Gjakovë, Shoqata e të Verbërve të Kosovës, DyVo, Etea, Let's Do it Peja, 4-H Kosova, Bonevet Gjakova dhe Anibar.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, Taulant Hoxha – Drejtor Ekzekutiv në KCSF theksoi që përkrahja për fuqizim të brendshëm të organizatave nuk është qëllim në vetvete, por duhet t’i shërbejë lidhjes së shtuar të këtyre organizatave dhe shoqërisë civile në tërësi me qytetarët, me ata që kanë më shumë nevojë, me grupet e margjinalizuara dhe shpesh të lëna jashtë jetës publike.

Organizatat përfituese punojnë në fusha të ndryshme: BONEVET është institucion edukativ joformal ku fëmijët, të rinjtë dhe të rriturit inkurajohen të zbulojnë aftësitë e tyre dhe t'i zhvillojnë ato me pasion dhe dashuri; Lets Do It Peja është organizatë e bazuar në komunitet, në mbrojtje të mjedisit; DYVÓ përdor materiale të riciklueshme për të krijuar dizajne të reja dhe unike; ETEA synon edukimin publik nëpërmjet kultivimit të kulturës së leximit tek të rinjtë dhe përmirësimit të gjendjes së arsimit në Kosovë; 4-H Kosova punon drejt krijimit të një rinie të fuqizuar të Kosovës, të vetëdijshëm rreth potencialit të tyre dhe të aftë të krijojnë ndryshim pozitiv në komunitetet e tyre; Shoqata e të Verbërve të Kosovës është një organizatë përfaqësuese e komunitetit të të verbërve në Kosovë; Anibar është një organizatë që përfshin aktivistë të cilët inkurajojnë të rinjtë t’i shprehin idetë dhe pikëpamjet e tyre përmes animacionit; Handikos Gjakovë është shoqatë që ndihmon në mirëqenien e paraplegjikëve dhe personave me nevoja të veçanta në Gjakovë; Akcioni për Nëna dhe Fëmijë është fondacion që zhvillon programe shëndetësore dhe të tjera për nëna dhe fëmijë, në institucione shëndetësore dhe të tjera gjithandej Kosovës. Granti për zhvillim organizativ zgjat deri në 2 vite dhe në shumë deri në 15,000 EUR për grant.

Këto grante synojnë të mbështesin përmirësimin e qeverisjes së brendshme, ndërtimin e kapaciteteve të stafit, zhvillimin dhe zbatimin e sistemeve të brendshme për të përfshirë qytetarët në punën e tyre, zhvillimin e politikave dhe dokumenteve strategjike, përmirësimin e softuerëve apo dizajnimin e metodologjive të reja të punës, etj.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)