Nënshkruhet pakti për gjenerimin e vendeve të punës në Obiliq
Prishtinë, 27 shtator - Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe komuna e Obiliqit së bashku me përfaqësues të drejtorive komunale, nga shoqëria civile, zyra për punësim dhe biznesi privat do të nënshkruajnë një Pakt Territorial të Punësimit (PTP) sot në ora 14:00 në ndërtesën e Kuvendit Komunal në Obiliq.
Paktin do ta nënshkruajnë edhe kryetari i komunës së Obiliqit Mehmet Krasniqi dhe Zëvëndës Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së, Znj. Steliana Nedera.
Ceremonia mbahet në kuadër të projektit të UNKT-së "Ndërtimi i një të ardhmë më të mirë për qytetarët e Fushë Kosovës dhe Obiliqit", projekt ky i pesë agjensioneve të OKB-së: UNDP/UNV, UNICEF, UNFPA dhe OBSH.
Pakti Territorial i Punësimit është komponentë e projektit dhe punë e përbashkët e komunës së Fushë Kosovës dhe UNDP-së që ka për qëllim nxitjen e pjesëmarrjes në tregun e punës dhe përfshirjen sociale të individëve të cenueshëm që jetojnë në komunën e Fushë Kosovës, me theks te veçantë tek të rinjtë, gratë dhe komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas.
Në kuadër të paktit parashihen këto pesë veprime: 1. Themelimi i ndërmarrjeve sociale për nxitjen e punësimit të qëndrueshëm; 2. Promovimi i punëve të gjelbra për krijimin e zgjidhjeve të qëndrueshme mjedisore; 3. Promovimi i mundësive të punësimit përmes avancimit të shkathtësive grupet në pozitë të pafavorshme; 4. Stimulimet për integrim në punë të personave e papunë në kohë të gjatë që kanë shkathtësi të ulëta dhe pa shkathtësi; dhe 5. Formalizimi i punësimit përmes avancimit të mikro-ndërmarrjeve rurale.
Pritet që në këtë ceremoni të marrin pjesë të gjithë akterët relevantë për këtë proçes, me çrast do të konfirmojnë kontributin e tyre të mëtutjeshëm në zbatimin e këtij plani me qëllim të zvogëlimit të papunësisë dhe krijimin e një mirëqenie të nivelit më të lartë për qytetarët e kësaj komune.