Nënshkruhet memorandumi mes Mitrovicës dhe Trepçes
Mitrovicë, 22 prill - Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati dhe menaxheri i ndërmarrjes Trepça, Ferat Shala, kanë nënshkruar të premten një memorandum bashkëpunimi për bashkërendimin e aktiviteteve në fushën e inspektimit dhe menaxhimit të çështjeve që lidhen me mjedisin.
Është vlerësuar si një qasje e re bashkëpunimi ndërmjet institucioneve sa i përket përkujdesjes së mjedisit.
Kryetari Kastrati, ka thënë se problemet e mjedisit në Mitrovicë janë mjaft sfiduese duke pasur parasysh se ka qenë një qytet me industri shumë të zhvilluar.
Kemi trashëguar një mjedis që ka nevojë për përkushtim të madh, andaj edhe ky memorandum bashkëpunimi mes Komunës dhe Trepçës është një përpjekje e përbashkët në këtë drejtim.
Ai theksoi se me këtë memorandum konfirmohet bashkëpunimi në fushën e inspektimit dhe menaxhimit të mjedisit, duke përfshirë identifikimin e infrastrukturës ligjore, unifikimin dhe harmonizimin e rregulloreve me ligjet në fuqi, bashkëveprimi në aktivitete të inspektimit dhe menaxhimit mjedisor për deponitë minerare, në raste të kërkesës së ndërmarrjes Trepça, avancimi i bashkëpunimit të ndërsjellë me institucionet relevante etj.
Në këtë kontekst kryetari Kastrati përmendi edhe shkëmbimin e përvojave (organizimin e punëtorive të përbashkëta, trajnimeve, konsultave, etj).
Ai sqaroi se bartës për hartimin dhe zbatimin e inspektimit si dhe menaxhimin e çështjeve të mjedisit, në bazë të aktiviteteve të parapara sipas memorandumit, do të jenë drejtorët e drejtorive, shefat e sektorëve dhe inspektorët në fushat e ndryshme të inspektimeve nga ana e Kuvendit Komunal.
Ndërkaq nga ndërmarrja Trepça bartës do të jenë zëvendësmenaxherët, drejtoret e departamenteve, zyrtarë dhe ekspertë tjerë të fushave të ndryshme në Trepçë.
Të njëjtit kanë të drejtë, që në frymën e avancimit dhe përmirësimit të planeve vepruese, të bëjnë ndryshime sipas kërkesave dhe rrethanave të reja.
Në anën tjetër, edhe menaxheri i Trepçës, Ferat Shala, e ka vlerësuar këtë memorandum si një hap të mirë sa i përket mbrojtjes së mjedisit. Po nisim një bashkëpunim me komunën që premton se me problemet e mjedisit do të përballemi bashkë, meqë është një çështje që kërkon koordinim për të pasur sukses.
Duke u ndërlidhur me memorandumin e nënshkruar në Ditën e Tokës, ai tha se Drejtoria e Mbrojtjes së Mjedisit të Kuvendit Komunal dhe Departamenti për Zhvillim dhe Mbrojtjes së mjedisit të ndërmarrjes Trepça, obligohen që të gjitha kapacitetet (humane, informatat dhe mjetet tjera që nevojiten për zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta ), ti vejnë në dispozicion.
Kuvendi Komunal i Mitrovicës ndan buxhet, konform dispozitave të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, për aktivitetet e bashkëpunimit (partneritetit) me Trepçën. Ndërkaq, ndërmarrja Trepça merr pjesë me mjete financiare, kur ka të bëjë me projekte për mbrojtjen e mjedisit, si pasoje e ndotjeve nga deponitë dhe aktivitet e saj