Nënshkruhet marrëveshja për trajtimin e ujërave të zeza
Prishtinë, 24 tetor - Ministri i Financave Besim Beqaj, drejtoresha e Bankës Gjermane KFW për Kosovë Esther Gravenkotter dhe drejtori i Ujësjellësit Rajon Radoniqi Ismet Ahmeti kanë nënshkruar sot marrëveshjen për ndërtimin e fabrikës për trajtimin e ujërave të zeza në komunën e Gjakovës.
Projekti kalon shumën prej 16 milionë euro nga të cilat 13.6 milionë do të financohen nga Qeveria Gjermane dhe Zvicerane.
Ministri Beqaj falënderoj Qeverinë Gjermane për mbështetjen e vazhdueshme në sektorë të ndryshëm, posaçërisht për sektorin e ujërave dhe shprehu interesimin e Qeverisë së Kosovës për të investuar në trajtimin e ujërave të zeza në Pejë.
Në qershor të këtij viti Ministri Beqaj ka nënshkruar marrëveshjen me Qeverinë Zvicerane në vlerë prej 8 milionë Euro. Me nënshkrimin e marrëveshjes së sotme janë siguruar 5.6 milionë nga Qeveria Gjermane. Mjetet tjera të cilat nevojiten për shpronësim do të sigurohen nga Komuna e Gjakovës.
Investimi përfshinë ndërtimin e fabrikës së ujërave të zeza, ndërtimin e kolektorit të ri, rehabilitimin e kolektorit të vjetër, rehabilitimin e disa pikave kritike në qytet si dhe masa e nevojshme për operim të fabrikës.