18 Nëntor 2024

Nënshkruhet Kontrata Kolektive

Prishtinë, 18 mars - Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, së bashku me përfaqësuesit e OEK-ut, AKB-së, BSPK-së dhe KES-it, kanë nënshkruar sot Kontratën e Përgjithshme Kolektive, e cila i përcakton të drejtat, obligimet dhe përgjegjësinë e punëdhënësit dhe punëmarrësit.

Së bashku jemi këtu, për të nënshkruar Kontratën Kolektive të Kosovës, nënshkrim ky i cili përfundoi tash, si një akt juridik, që do të rregullojë raportet ndërmjet punëdhënësit dhe punëmarrësit.
 
"Kjo marrëveshje është shumë e vlefshme për Kosovën, pasi është më e avancuar dhe më gjithëpërfshirëse sesa Ligji i Punës", ka theksaur ai.

Sipas tij kjo kontratë përcakton themelimin e marrëdhënies së punës, të drejtat, obligimet dhe përgjegjësitë e punëdhënësit dhe punëmarrësit, orarin e punës, punën e natës, pushimin vjetor, atë të lehonisë, sigurinë në punë, mbrojtjen e shëndetit të të punësuarit dhe mbrojtjen e ambientit të punës.

Kjo marrëveshje përcakton në mënyrë të qartë dhe të detajuar të drejtat dhe detyrimet e palëve të përfshira.

Kjo gjë e lehtëson marrëdhënien e sipërmarrësve me punëtorët, duke shmangur përplasjet e mundshme dhe kostot e larta që rrjedhin prej tyre.

Në mënyrë të tërthortë ajo ka për të ulur edhe ngarkesën e punës në gjykata, pasi marrëdhëniet e punë do të jenë aq mirë të përcaktuara dhe të rregulluara, sa që mosmarrëveshjet mes punëdhënësit dhe punëmarrësit do të bëhen pothuajse inekzistente.

Përveç kësaj, kjo marrëveshje do të rritë stabilitetin e punëtorëve në vendin e tyre të punës.

Duke qenë më stabilë dhe duke pasur kushte më të mira, të punësuarit kanë për të qenë më të motivuar dhe të përkushtuar ndaj punës; kanë për të pasur rendiment më të lartë në kompanitë ku janë të punësuar, gjë që e shton produktivitetin dhe rritjen e ekonomisë sonë.

Qeveria e Republikës së Kosovës do të jetë garantuese e zbatimit të kësaj marrëveshjeje dhe do të sigurojë përmbushjen e të drejtave, që ju takojnë punëtorëve.

Kjo, natyrshëm përmban edhe kosto për buxhetin e Kosovës.

Unë jam i bindur se kjo rritje shpenzimesh nga buxheti i shtetit për të garantuar Kontratën Kolektive për të punësuarit e sektorit privat, ashtu sikurse rritja prej 25 për qind që ndërmorën për rrogat e punonjësve të shtetit, bazohet tek principi i nevojës dhe meritës.

Duhet thënë, që punëtorët tanë kanë nevojë të kenë kushte edhe më të mira dhe i meritojnë këto standarde të punësimit të nivelit të lartë.

Falë punës së palodhur të punëtorëve tanë të sektorit privat, Kosova ia ka dalë të mbajë një rritje të qëndrueshme ekonomike gjatë kësaj periudhe kohore, kur mbarë globi vuante prej krizave të mëdha ekonomike dhe ku shumica e vendeve të Evropës pësonin rënie.

Këto rritje shpenzimesh jo vetëm që janë të merituara, por janë më se të përballueshme nga shëndeti që gëzojnë financat tona publike.

Duka të theksoj se si rezultat i administrimit të buxhetit tonë me profesionalizëm dhe përgjegjësi të lartë, Qeveria e Kosovës ka nivelin më të ulët të borxhit publik sot në Evropë.

Falë rritjes ekonomike dhe luftës së informalitetit në periudhën 2007-2013, buxhetit tonë i janë shtuar të hyrat vjetore nga tatimet dhe nga doganat për 60 për qind.

Prandaj, Qeveria e Kosovës ka shtuar në mënyrë të dukshme pozitive, të hyrat prej tatimeve dhe doganave,  prandaj kjo rritje na lejon të bëjmë mbulesën financiare që kërkon Kontrata Kolektive e Kosovës.

Në përfundim, unë dua të ritheksoj dobinë e madhe të kësaj kontrate kolektive, prej së cilës përfitojnë si punëdhënësit, ashtu edhe të punësuarit.

Nga kjo kontratë, do të përfitojë mbarë Kosova, pasi do të përmirësojë ndjeshëm klimën e tregut tonë të burimeve njerëzore dhe do të minimizojë mosmarrëveshjet dhe paqartësitë që lidhen me to.

Unë i falënderoj të gjitha palët e përfshira, qoftë përfaqësuesit e sipërmarrësve, qoftë përfaqësuesit e punëtorëve, për frymën e lartë të bashkëpunimit, si dhe për punën e mirë që kanë bërë gjatë hartimit të kësaj marrëveshje.

Marrëveshja Kolektive që nënshkruam sot, është marrëveshje e Qeverisë së Kosovës dhe të gjitha palëve të përfshira, është marrëveshje e përbashkët, e diskutuar, e harmonizuar dhe është pëlqimi i plotë i të gjitha palëve që kanë qenë të përfshira në negociata, në hartim, në plotësimin e kësaj kontrate.

Pra, është marrëveshje e vullnetit, e përgjegjësive, të cilat dalin nga kjo marrëveshje.

"Prandaj, më lejoni edhe njëherë që të falënderoj z.Haxhi Arifi, Bashkimin e  Sindikatave të Pavarura të Kosovës, për mbështetjen e tyre, për punën e tyre të palodhshme që kanë bërë, me idetë dhe sugjerimet e tyre; falënderoj kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, z.Safet Gërxhaliu, për sugjerimet e tyre, për punën; falënderoj gjithashtu, përfaqësuesin e Aleancës Kosovare të Buiznesit, z.Agim Shahini për mbështetje të plotë, për këshillat, për rekomandimet; falënderoj gjithashtu z.Sejdiu për punën e tij, seriozitetin e tij dhe angazhimin e tij dhe ekipit të tij; falënderoj në veçanti Zinetën; falënderoj edhe përfaqësuesit e minatorëve, që sot i kemi këtu", ka pohuar ai.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)