Nënshkruhen kontratat me përfituesit nga Programi për Zhvillim Rajonal
Prishtinë, 21 korrik - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë e organizuar nga Ministria e Zhvillimit Rajonal për nënshkrimin e kontratave me përfituesit nga Programi për Zhvillim Rajonal të Balancuar (PZHRB 2022).
Duke kujtuar se në dy vitet e fundit edhe vendi ynë është ballafaquar me pandeminë COVID-19, kryeministri Kurti tha se si Qeveri në vazhdimësi kemi ndërmarrë masa të shumta përmes skemave të ndryshme, duke pasur për synim mirëqenien e qytetarit dhe të mirën publike.
Në mesin e këtyre masave, në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike e cila kap vlerën prej 570 milionë euro, ai veçoi mbështetjen e bizneseve përmes subvencionimit të pagave të punëtorëve dhe qirave, shtesat për Lehona dhe Fëmijë, shtesat për punëtorët e sektorit privat e publik dhe pensionistë, subvencionimin e energjisë elektrike për familjet dhe bizneset, ndihmën për familjet në asistencë sociale, rritjen e mbështetjes për bujqësi dhe tash së fundmi skemën e punësimit të garantuar “Qeveria për Familjet”.
Programi për Zhvillim Rajonal të Balancuar është edhe një tjetër skemë përkrahëse të cilën e kemi dizajnuar së bashku, tha kryeministri Kurti.
Ajo synon zhvillimin socio-ekonomik të rajoneve zhvillimore përmes krijimit të vendeve të reja të punës, përkrahjes së bizneseve të reja dhe atyre prodhuese, me qëllim të zvogëlimit të importeve, dhe në të njëjtën kohë edhe një dëshmi që qeveria është e përkushtuar që të përkrahë sektorin privat në shërbim të zhvillim të gjithmbarshëm ekonomik, u shpreh më tej kryeministri Kurti.
Ai i uroi të gjithë përfituesit në kuadër të Programit për Zhvillim Rajonal të Balancuar 2022 dhe u dëshiroi suksese dhe punë të mbarë në zbatim të projekteve.