Nënshkrimet e kontratave do të bëhen edhe nga ministrat
Prishtinë, 26 maj - Në kuadër të angazhimeve të vazhdueshme në luftë të pakompromis kundër korrupsionit dhe në kuadër të adresimit të sfidave në sektorin e Prokurimit Publik, të cilat janë përmendur edhe në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për vitin 2009, Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme të saj, ka marrë vendim për aprovimin e Udhëzimit Administrativ në fushën e prokurimit publik, i cili përcakton mënyrën e nënshkrimin e kontratave publike me vlerë të mesme dhe atyre me vlerë të lartë.
Udhëzimi administrativ përcakton që nënshkrimi i këtyre kontratave, përveç nga drejtori i Prokurimit Publik, të bëhet edhe nga sekretari i përhershëm, përkatësisht nga zyrtari më i lartë administrativ dhe nga ministri, përkatësisht udhëheqësi kryesor i agjencisë buxhetore.
Ky udhëzim administrativ është në mbështetje të Kushtetutës së Kosovës dhe në pajtim me rregulloren e punës së Qeverisë së Repblikës së Kosovës, dhe ështe pjesë e Ligjit të ri të Prokurimit Publik, i cili do të aprovohet këtë viti nga Parlamenti i Kosovës.
Udhëzimi Administrativ për nënshkrimin e kontratave publike me vlerë të mesme dhe atyre me vlerë të lartë do të jetë në fuqi deri në miratimin e Ligjit për Prokurim Publik, dhe siguron që fondet publike të përdoren me transparencë dhe përgjegjësi të plotë.
Miratimi i ketij udhezimi është një mase imediate, të cilën Qeveria e Republikës së Kosovës e ka ndërmarrë me qëllim të rritjes së përgjegjësisë në shpenzimin e mjeteve të buxhetit të Kosovës. Në mënyrë të veçantë, ky udhëzim administrativ kosiderohet si një masëe tjetër imediate e Qeverisë së Republikës së Kosovës në lufte kundër korrupsionit.
Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar për luftë të pakompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe do të vazhdojë me marrjen e veprimeve të tjera në këtë kuadër.