19 Nëntor 2024

Në vendet e Evropës Juglindore 1 në 2 të rinj është i papunë

Vjenë, 22 tetor - Të hënën në Vjenë u mbajt një konferencë nga Banka Botërore, në bashkëpunim me Ministrinë austriake të Financave, Institutin vjenez për Studime Ekonomike Ndërkombëtare dhe Rrjetin për Zhvillim Ndërkombëtar.

“Në vendet e Evropës Juglindore një në dy të rinj është i papunë. Ndërkohë një në katër të rinj në këto vende nuk punon, nuk kërkon punë dhe nuk studion”, u theksua në konferencën e mbajtur të hënën në Vjenë nga Banka Botërore, në bashkëpunim me Ministrinë austriake të Financave, Institutin vjenez për Studime Ekonomike Ndërkombëtare dhe Rrjetin për Zhvillim Ndërkombëtar, të cilat organizuan një dialog të nivelit të lartë për politikat e “Punësimit të të Rinjve në Evropën Juglindore”.

Ministrat e Punës, Politikave Sociale dhe Rinisë, dhe zyrtarë të lartë nga Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Kroacia, IRJ e Maqedonisë, Kosova, Mali i Zi, dhe Serbia u mblodhën së bashku me përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, qendrave kërkimore dhe përfaqësues të të rinjve për të diskutuar mënyrat e përmirësimit të perspektivave të punësimit në rajon dhe për të çliruar potencialin e brezit të ri.

“Konferenca theksoi shkallën e vazhdueshme të lartë të papunësisë së të rinjve në Evropën Juglindore (EJL), krahasuar me vende të tjera në botë. Në shumë vende, një në dy të rinj është i papunë. Për më tepër, konferenca tërhoqi vëmendjen ndaj numrit të të rinjve që jo vetëm janë pa punë, por edhe pa shkollë.\"

\"Një në katër të rinj në EJL nuk punon, nuk kërkon punë dhe nuk studion. Edhe kur të rinjtë gjejnë punë, shpesh ato janë punë me rrezik, me orë, apo të përkohshme, apo në sektorin informal, duke i përjashtuar kështu nga sistemi i përfitimeve dhe nga shoqëria në përgjithësi”, theksohet në njoftimin për shtyp të Bankës Botërore.

Një video për punësimin e të rinjve, që u shfaq në konferencë, e theksoi këtë situatë emergjente. “Nuk kam ndonjë ambicje të tepruar në lidhje me karrierën time. Do të isha shumë i kënaqur nëse puna që do të bëja, do më krijonte mundësi të mbaja veten dhe familjen,” tha në video Dušan Nikoliæ 21 vjeç, student në Universitetin e Beogradit. “Për mua do të ishte mirë të gjeja një punë të përhershme me sigurime”, tha Gazmend Januzi 24 vjeç, teknik ndërtimi nga Sarajeva.

Politikëbërësit dhe ekspertët janë të së njëjtit mendim se vendet e këtij rajoni janë shumë të kufizuar nga borxhi fiskal dhe ai i huaj. Konsumi dhe investimet në rënie dhe qasja e kufizuar në financime po e keqësojnë situatën aktuale, duke sjellë ndikime të mëdha dramatike në tregjet e punës. Përveç krijimit të vendeve të punës, çështje të lidhura me rregullat e punës, taksimin dhe mospërputhjet në aftësi ndikojnë në mënyrë joproporcionale te të rinjtë, në veçanti, te gratë e reja si edhe të rinjtë që jetojnë në mjedise me disavantazhe, duke e bërë në përgjithësi më të vështirë për ta që të plotësojnë aspiratat e tyre për punë të mira.

“Shkalla e punësimit të të rinjve është veçanërisht e ulët. Modeli është komplikuar edhe më shumë nga rënia ekonomike në vazhdim. Si pjesë e përpjekjeve për rimëkëmbje, me shumë rëndësi do të jenë përpjekjet për të shtruar themelet për një rrugë rritjeje më përfshirëse ku të rinjtë të luajnë një rol thelbësor në zhvillimin socio-ekonomik,” tha Vladimir Gligorov, ekonomist i lartë në Institutin e Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare.

Dialogu rreth politikave nxiti një diskutim shumë të hapur, duke ju dhënë mundësi pjesëmarrësve të analizonin dhe diskutonin si politikat e suksesshme, ashtu edhe ato të dështuara. Diskutimi preku politikat makroekonomike, tregjet dhe stimujt, si edhe aftësitë. Aty u vunë në dukje fushat që kishin nevojë për analiza të mëtejshme, zhvillim politikash dhe veprime.

“Adresimi i punësimit të të rinjve kërkon një agjendë shumësektoriale. Ajo që mund të funksionojë varet sigurisht nga konteksti i vendit, por padyshim ne mund të mësojmë shumë nga përvoja e rajonit dhe më gjerë. Dhe ne duhet të veprojmë tani me qëllim që të mos lihet pa shfrytëzuar potenciali jashtëzakonisht i madh i forcës së punës së Evropës Juglindore. Sfida e vendeve të punës kërkon përmirësimin e klimës që firmat të lulëzojnë dhe të krijojnë vende pune.\"

\"Megjithatë, duhet gjithashtu të sigurojmë që punëtorët të jenë të përgatitur si duhet për të qenë në gjendje të përfitojnë nga mundësitë për punë. Reformat kërkojnë këmbëngulje, por në fund të shpërblejnë për këtë këmbëngulje,” tha Ellen Goldstein, Drejtore e Bankës Botërore për Vendet e Evropës Juglindore.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)