Në tre muajt e parë të 2014 regjistrohen 2912 ndërmarrje
Prishtinë, 7 maj - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Repertorin statistikor mbi ndërmarrjet ekonomike në Kosovë TM12014.
Në TM1 2014, gjithsej janë regjistruar 2912 ndërmarrje, ndërsa në TM4 - 2013 kanë qenë 1805 sosh, që vërehet një rritje në mes tremujorëve të të njëjtit vit për 1107 ndërmarrje, ose 61.3% më shumë ndërmarrje të regjistruara në këtë tremujorë.
Një rënie vërehet edhe te bizneset e reja prej 6.1%, krahasuar me TM1 - 2013.
Aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë këtij tremujori ishin: tregtia me 928 ndërmarrje ose 31.9%, industria përpunuese 311 ose 10.7%, hotelet dhe restorantet me 293 ose 10.6%, ndërtimtaria me 279 ose 9.6%, pasuritë e patundshme dhe dhënia me qira me 271 ose 9.3%, transporti, depot dhe telekomunikacioni me 260 ndërmarrje ose 8.9%, aktivitetet tjera shoqërore dhe personale me 230 ose 7.9%, bujqësia, gjuetia dhe pylltaria me 215 ose 7.4%, ndërsa aktivitetet tjera marrin pjesë në shkallë shumë të vogël.
Kategoritë e numrit të punësuarve nga 1-4 të punësuar përbën rreth 2817 ndërmarrje ose 96.8% të ndërmarrjeve të reja, kategoria me 5-9 të punësuar me 67 ndërmarrje ose 2.3%, 10-19 të punësuar me 16 ose 0.5%, 20-49 të punësuar me 10 ndërmarrje ose 0.3% si dhe kategoria me 50-249 të punësuar me 2 ndërmarrje ose 0.1%, ndërsa në kategoritë tjera nuk është asnjë ndërmarrje e regjistruar në këtë tremujorë.
Kurse, sa i përket shtrirjes së ndërmarrjeve të reja nëpër komuna mbizotëron: Prishtina me 700 sosh ose 24%, Prizreni me 240 ose 8.3%, Ferizaj me nga 243 ose 8.3%, Gjilani me 155 ose 5.5%, Peja me 144 ose 4.9%, Gjakova me 130 ose 4.5%, Mitrovica me 122 ose 4.2%, Podujeva me 119 ose 4.1%, ndërsa komunat tjera kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të reja gjatë këtij tremujori.