Në SHBA po hapen dhe po mbijetojnë më pak biznese të reja
Washington, 20 prill - Donald Trumpi e mbështeti fushatën e tij presidenciale në premtimin se do të rikthente rritjen dhe mundësitë ekonomike në Shtetet e Bashkuara duke vënë në plan të parë interesat amerikane.
Mesazhi i tij entuziazmoi shumë votues në zonat qendrore e jugore të vendit, ku nuk është ndjerë shumë rimëkëmbja ekonomike, sidomos në zona dikur të fuqishme industriale që tani vuajnë ritmet më të larta të papunësisë në vend.
Ndërkohë që një numër qytetesh bregdetare janë shndërruar në qendra novacioni e potenciali ekonomik, një pjesë e mirë e vendit, thonë analistët e tregut ka përjetuar gjatë dekadave të fundit rënie në ritmet e sipërmarrjes.
Korporatat globale nga Atlantiku në Paqësor po përgatiten për ndikimin që do të ketë vala e re e proteksionizmit tek biznesi i tyre.
Zhvillime si Brexiti dhe zotimet e Presidentit Trump për të braktisur marrëveshjet shumëpalëshe tregtare kanë zgjuar shqetësim për të ardhmen e tregtisë botërore. Kompania FiscalNote ofron përgjigje në këto kohë paqartësish:
Kemi krijuar një platformë teknologjike që mbledh ligjet, rregulloret, të gjitha dokumentacionet qeveritare që nga niveli federal e deri tek ai lokal, dhe i klasifikon të dhënat në mënyrë që kushdo: qoftë një avokat, një specialist i marrëdhënieve me qeverinë, të dijë çfarë rregullash të reja prekin biznesin e tij dhe në çfarë forme, thotë themeluesi i kompanisë FiscalNote, Tim Hwang.
Ky proces që dikur realizohej nga një armatë specialistësh, tani është plotësisht i automatizuar falë një algoritmi kompiuterik që analizon ligjet përkatëse për çdo aktivitet ekonomik. Sipërmarrës si Tim Hwang po shfrytëzojnë teknologjinë elektronike për të revolucionarizuar sektorë të tërë të ekonomisë.
Por, megjithë premtimet e shpresat për përparimet teknologjike, shumë komunitete amerikane nuk po i ndjejnë përfitimet e revolucionit dixhital Statistikat tregojnë dallim të madh mes zonave të ndryshme gjeografike.
Qendra të fuqishme urbane si San Francisko dhe Nju Jorku janë shndërruar në inkubatorë novacionesh e ndryshimesh, ndërsa në pjesën më të madhe të komuniteteve amerikane gjatë dekadave të fundit ka rënë përqindja e bizneseve të reja që hapen dhe arrijnë të mbijetojnë:
Statistikat tregojnë se tani në Amerikë po happen shumë më pak biznese të reja se sa 20-30 vjet më parë, thotë Steve Glickman.
Zoti Glickman është bashkëthemelues i Grupit për Novacion Ekonomik, një organizatë që punon për të mbështetur sipërmarrjen në Shtetet e Bashkuara. Studimet e kryera nga ky grup tregojnë pabarazi të theksuara mes komuniteteve të ndryshme amerikane, kur është fjala tek kapitali financiar që mbështet bizneset e reja dhe novacionin:
Nëse analizojmë fondet private të investimeve, atë sektor që ka mbështetur krijimin e kompanive si Uber, Facebook apo Airbnb, vërejmë se 80% e këtij kapitali investohet në tre shtete amerikane: Kaliforni, Nju Jork dhe Masaçusets. 47 shtetet e tjera amerikane duhet të ndajnë 20 përqindshin që mbetet, thotë zoti Glickman.
Edhe Tim Hwang shprehet me shqetësim për pabarazinë gjeografike, sidomos në cilësinë e arsimit. Ai vëren dallime të mëdha mes zonave si San Francisko dhe Boston, të cilat përfaqësojnë një kombinim ideal talenti njerëzor me qendra kërkimore të fjalës së fundit, krahasuar me komunitete ku arsimi po ngelet prapa dhe nuk arrin tu përgjigjet nevojave të tregut. Ky problem, vëren ai, po dëmton jo vetëm hapjen e bizneseve të reja, por edhe potencialin e rritjes së kompanive si FiscalNote:
Flitet shumë se ska punë, nuk ka vende pune sa duhet, por për kompani teknologjike me rritje të shpejtë, si kompania jonë, problemi që hasim është se tregu i punës nuk po i përmbush nevojat tona me specialistët që na duhen, thotë zoti Hwang.
Presidenti Donald Trump ka premtuar ta zgjidhë problemin duke kthyer në vend prodhimin industrial që dikur punësonte një numër të madh amerikanësh.
Por ekspertët ekonomikë shqetësohen se deklaratat e tij mbi tregtinë mund të nxisin një luftë tarifash dhe proteksionizmi që do të kishte pasoja negative për ekonominë amerikane.
Glickman dhe Hwang e mirëpresin vëmendjen e shtuar ndaj sektorit amerikan të biznesit, por shpresojnë se kjo prirje nuk do të rezultojë në një mbyllje e Amerikës ndaj tregjeve të lira, por një hapje më e madhe ndaj teknologjisë dhe potencialit të saj për të nxjerrë komunitete amerikane nga varfëria dhe izolimi.
/zeri i amerikes/