Në Pejë po realizohet projekti Punët publike 2012
Prishtinë, 1 tetor - Zëvendësministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Fatmir Shurdhaj, ka vizituar lokacionin ku është duke u implementuar projekti Punët Publike 2012 në komunën e Pejës.
Sikurse, po thuaj, në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës, edhe në komunën e Pejës, suksesshëm është duke u realizuar projekti Punët publike 2012.
Për të parë nga afër realizimin e këtij projekti, zëvendësministri i MPMS, Fatmir Shurdhaj, ka vizituar lokacionin ku po realizohet ky projekt në Pejë e që është shtrimi i kubave për këmbësorë dhe biçiklistë, në Grykën e Rugovës.
Shurdhaj ka shprehur interesimin e tij për kushtet e punës, duke u shprehur njëkohësisht se sikurse në projektet tjera që janë duke u realizuar anekënd Kosovës, edhe në këtë projekt të punësuarit nga Qendra Regjionale e Punësimit (QRP) në Pejë gjatë kryerjes së punimeve mund edhe të aftësohen profesionalisht që atyre do tu mundësoj më lehtë sigurimin e një vendi pune të përhershme, andaj, ka shtuar ai, punëkryesi duhet të tregoj kujdes të veçantë për këta të punësuar.
Gjatësia e këtij shtegu është 1 mijë e 600 metra, që ka vlerën e 70 mijë eurove, kurse nga QRP-ja e Pejës janë angazhuar 18 punëkërkues, 11 nga të cilët edhe do të certifikohen me certifikata nga QRP-ja për aftësimin profesional në shtrimin e kubave. Realizimi i plotë i këtij projekti do të zgjatë tre muaj.
Zv/ministri Shurdhaj, po në Pejë ka vizituar edhe QRP-në e këtushme ku ka zhvilluar një bashkëbisedim me të punësuarit e kësaj qendre dhe është njoftuar për kushtet e punës në këtë qendër, që janë mjaftë të mira.