Në Kosovë 280 mijë persona kërkojnë punë

Prishtinë, 30 prill - Në Kosovës sipas statistikave të Ministrisë së Punës dhe Mirëqeniës Sociale janë të regjistruar 280 mijë punëkërkues, ndërkaq për çdo vit regjistrohen deri në katër mijë punëtorë të rinj.
Kështu u tha sot në tryezën e organizuar nga BSPK-ja me rastin e ditës së 1 Majit me temën Të drejtat e punëtorëve dhe Integrimi Evropian.
1 Maji po shënohet edhe në vendin tonë por ndryshe nga vendet tjera ku organizatat sindikale organizojnë protesta për të drejtat e punëtorëve. Ministri i Punës, Nenad Rashiq tha se si punëkërkues janë të regjistruar mbi 280 mijë persona.
Ai shtoi se Ministria ka rritur kapacitetet e inspektoratit të punës si mekanizëm që merret me problemet e punëtorëve dhe bëri të ditur se në proces të hartimit është edhe ligji për mbrojtjen e punëtorve në vendin e punës.
Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Haxhi Arifi tha se problem paraqitet sektori privat ku nuk ka organizim sindikal në mënyrë që të mbrohen të drejtat e punëtorëve.
Ndryshe, BSPK ka arritur që të realizojë 10 nga 12 kërkesat të cilat i ka parashtruar në protestën e punëtorëve më 2011. Gjithashtu gjatë tryezës u bë e ditur se është bërë edhe zhbllokimi i pagesës së 20 përqindëshit nga procesi i privatizimit.