Në Janar 2013, vendim i ri për qeset e plastikës
Prishtinë, 7 gusht - Ministri Gashi sot priti drejtorin ekzekutiv të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka dhe menagjerin e kompanisë Viva Fresh, Ylber Kuraja.
Në këtë takim, përfaqësuesit e OEA shprehën gatishmërinë e tyre për përkrahjen e një udhëzimi ligjor nga Ministria e Mjedisit, përmes të cilit pagesa e qeseve të plastikës do të bëhej e detyrueshme për të gjitha bizneset.
Ky shqetësim i OEA vjen për arsye se vendimi për vendosjen e akcizës nga ana e Ministrisë së Financave nuk e bën kategorizimin e qeseve të cilat hyjnë në Kosovë dhe nuk parasheh akcizë për lëndën e parë për prodhimin e qeseve në vend.
Sipas tyre, kjo paqartësi ligjore ka hapur dyert për rrugë alternative të pajisjes së bizneseve të vogla me qese të plastikës, duke mos i faturuar ato.
Ministri Gashi siguroi se kjo masë e marrë nga Ministria e Financave është e përkohshme dhe do të rishqyrtohet në Janar të vitit 2013.
Sipas tij, MMPH duke u bazuar në parimin e mbrojtjes së mjedisit ka përkrahur vendimin për akcizën në produktet që njihen si ndotës mjedisorë, siç janë qeset e plastikës, poqet elektrike joefiçente dhe gomat e përdorura të makinave.
Megjithatë, nënvizoi se kjo çështje do të riadresohet në Janar, ku paraprakisht do të ftohen edhe grupet e interesit para nxjerrjes së një vendimi të ri.