Në Gjakovë prezantohet pilot projekti Gratë në Punë Online
Gjakovë, 8 dhjetor - Sot në Gjakovë, është organizuar prezantimi lidhur me Pilot Projektin WOW (Women in Online Work) - Gratë në punë online.
Në këtë prezantim mori pjesë edhe kryetarja e Komunës Mimoza Kusari-Lila, zv. ministrja e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Besa Zogaj Gashi dhe Fjolla Restelica nga projekti në fjalë.
Kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, ka vlerësuar lartë këtë hap të marrë nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik e mbështetur nga Banka Botërore për të gjetur forma të reja për mundësi të punësimit të femrave nga Komuna e Gjakovës.
Jam e lumtur dhe më vjen shumë mirë që Komuna e Gjakovës së bashku me atë të Lipjanit janë zgjedhur pilot komuna për fillimin e implementimit të këtij projekti që do të fuqizoj rolin ekonomik të femrës.\"
\"Pa një fuqizim të kësaj gjinie nuk do të ketë as zhvillim ekonomik dhe punësim për këtë kategori të shoqërisë sonë, ka thënë Kusari-Lila.
Në anën tjetër, Zv. Ministrja e MZHE në Kosovë, Besa Zogaj Gashi, ka thënë se ky projekt do të përfshijë një numër të konsiderueshëm të grave nga zonat rurale dhe ka për qëllim rritjen e pjesëmarrjes së grave në punët online të mundësuara nga teknologjia informative dhe komunikuese.
Duke sqaruar në përmbajtje pilot projektin W0W - Gratë në punë online, Fjolla Restelica nga projekti në fjalë, ka thënë fillimisht se Kosova ka potencial për përdorimin e platformave të punëve online.
Prandaj, Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Banka Botërore po punojnë për të përfshirë më shumë gra në ekonominë digjitale. Restelica ka shtuar se pilot projekti do të përmbajë trajnime intensive për ta promovuar punët online dhe fillimisht do të përzgjedhen 50 femra nga komuna e Gjakovës dhe 50 femra nga komuna e Lipjanit.
Pilot projekti WOW (Women in Online Work - Gratë në punë online) ka për qëllim rritjen e pjesëmarrjes së grave, veçanërisht ato që jetojnë jashtë zonave urbane, në punët online të mundësuara nga teknologjia informative dhe komunikuese. Programi do të zgjasë përafërsisht 6 muaj, prej muajit Janar deri në muajin Qershor 2016.