Në Ferizaj 3.40% e popullatës janë në gjendje të rëndë ekonomike
Prishtinë, 5 tetor - Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED) në konferencën që mbahet sot në Ferizaj me kryetarët dhe përfaqësuesit e kuvendeve komunale të rajonit të Ferizajit, përfaqësues të Policisë së Kosovës dhe shoqërisë civile do të prezenton “Profilin Socio-Ekonomik të Komunave të Rajonit të Ferizajit”.
Qëllim i këtij profili të komunave të Rajonit të Ferizajit është që të përdoret si shtytje për hapjen e debatit publik, dhe t’i ndihmojë vendim-marrësit komunalë dhe kombëtarë në formulimin dhe zbatimin e politikave që do t’i adresojnë nevojat e popullatës rinore, gjegjësisht të grup-moshës 15-29 vjet.
Të dhënat e prezentuara tregojnë se shumica absolute e popullatës së grup-moshës (15-29 vjet) të komunave të këtij rajoni jetojnë në pjesët rurale të këtyre komunave.
Nivelin më të lartë të arsimit e kanë Komuna e Ferizajit dhe ajo e Shtërpces, ndërsa më të ulëtin e kanë Komuna e Shtimes dhe ajo e Hanit të Elezit. Infrastruktura kulturore dhe sportive për të rinjtë në këto komuna është tejet e varfër, dhe ajo nuk i plotëson as për së afërmi nevojat e kësaj grup-moshe të popullatës.
Për sa i përket strukturës religjioze, shumica absolute e banorëve në këto komuna (98%>), pos asaj të Shtërpes, janë deklaruar që i përkasin besimit islam.
Në Komunën e Ferizajit, raporti xhami për banorë në fshatra është 0.7 xhami në 1000 banorë, ndërsa në qytet është 0.15 xhami në 1000 banorë, në Komunën e Kaçanikut ky raport është 0.65 xhami në 1000 banorë në fshatra, dhe 0.3 xhami në 1000 banorë në qytet, në Komunën e Shtimës, 0.7 xhami në 1000 banorë në fshatra, dhe 0.15 xhami në 1000 banorë në qytet, ndërkaq, në komunat rurale të Hanit të Elezit dhe të Shtërpes (për banorët e deklaruar të besimit islam) 1 dhe 0.75 xhami në 1000 banorë respektivisht.
Numri i individëve që iu janë bashkangjitur luftërave të huaja, domethënë, organizatave terroriste në Irak dhe Siri, për Komunën e Hanit të Elezit është 1 në 1000 banorë, ku 0% e tyre kanë të kaluar kriminale, për Komunën e Kaçanikut është 0.94 individë në 1000 banorë, me 80% me të kaluar kriminale, për Komunën e Ferizajit është 0.17 individë në 1000 banorë, me 50% me të kaluar kriminale, për Komunën e Shtimes ky raport është 0.07 në 1000 banorë, me 50% me të kaluar kriminale, dhe në Komunën e Shtërpces nuk ka patur individë që iu janë bashkangjitur luftrave të huaja.
Në përgjithësi, gjendja ekonomike e këtyre individëve është e dobët dhe mesatare, dhe ata kanë shkollim të mesëm dhe të lartë.
Numri i veprave penale për 1000 banorë është më i larti në Komunën e Shtërpces dhe të Ferizajit me 19.3 dhe 19 respektivisht. Ky numër në Komunën e Kaçanikut është 13.5, dhe në atë të Shtimes 11.00, ndërkaq më i ulëti është në Komunën e Hanit të Elezit me 6.1 vepra penale për 1000 banorë.
Në Komunën e Ferizajit 3.40% e popullatës janë në gjendje të rëndë ekonomike, duke jetuar nga ndihmat sociale, ndërsa 5.50% si burim kryesor të jetesës i kanë pensionet, në Komunën e Kaçanikut 5.00% e popullatës jetojnë nga ndihmat sociale, dhe 5.00% nga pensionet, në Komunën e Hanit të Elezit 5.00% e popullatës jetojnë nga ndihmat sociale, dhe 6.00% nga pensionet, në Komunën e Shtimes 5.90% e popullatës jetojnë nga ndihmat sociale, dhe 6.00% nga pensionet, ndërkaq, gjendja më e rëndë është në Komunën e Shtërpces, ku 8.40% e popullatës jetojnë nga ndihmat sociale, dhe 9.50% nga pensionet.
Për sa i përket shpenzimeve kapitale dhe subvencioneve për kulture, sport dhe rini, në Komunën e Ferzajit këto paraqesin 5.70% të vlerës së përgjithshme të shpenzimeve kapitale, në ate të Kaçanikut 4.50%, në Hanin e Elezit 0.00%, në Shtime 3.35%, dhe në Shtërpcë 0.00%.
Këto shpenzime as për së afërmi nuk i plotësojnë nevojat për aktivitetet jashtëshkollore për të rinjtë e këtyre komunave, të cilët kanë në disponim një infrastrukturë tejet të varfër, apo edhe inekzistente komunale në fushën e sportit, kulturës dhe të aktiviteteve të tjera ekstra-kurrikulare.