Në Dubai me pare të shtetit
Prishtinë, 19 prill - Ekskursioni i dhjetëra zyrtarëve të institucioneve të ndryshme kosovare në Dubai ka nxjerrë në pah gënjeshtrën e Qeverisë së Kosovës, sipas së cilës, nga buxheti i vendit nuk është ndarë asnjë cent për këtë trip.
Zëri ka siguruar një faturë që kompania private Ekspertiza ia ka dërguar për pagesë një institucioni publik, e në të cilën figurojnë detaje të shumta rreth udhëtimit pesëditor në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe.
Në këtë dokument shihet se si Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit (ART), për të cilën nga buxheti i vendit për çdo vit ndahen nga rreth dy milionë euro, ka paguar 7.497 euro për ti shëtitur tre zyrtarë të saj.
Pagesa prej 2.499 eurove për një person, ose 7.497 euro për tre anëtarët e bordit të ART-së, Nijazi Ademaj, Besnik Berisha dhe Ruzhdi Jusufaj, i cili është edhe shef i Administratës, është bërë në xhirollogarinë bankare të kompanisë Ekspertiza.
Në emër të ART-së kjo faturë është nënshkruar nga shefi i Administratës, Ruzhdi Jusufaj, i cili ka qenë edhe njëri nga përfituesit e tripit, ndërsa në emër të Ekspertizës është nënshkruar nga menaxheri i kësaj kompanie, Besnik Sopi.