Në 33 komuna të Kosovës janë të punësuara 18,739 gra dhe 19,626 burra
Qëllimi i buxhetimit të përgjegjshëm gjinor është i trefishtë: promovimi i transparencës dhe llogaridhënies në politikat fiskale; rritja e pjesëmarrjes së përgjegjshme gjinore në procesin buxhetor, dhe promovimi i barazisë gjinore.
Instituti GAP ka publikuar raportin “Buxhetimi i Përgjegjshëm Gjinor në Komuna” nga i cili ka analizuar procesin dhe ndikimin e Buxhetimit të Përgjegjshëm Gjinor (BPGJ) tek organizatat buxhetore të nivelit lokal.
Nga 2017 deri 2023, asnjëherë nuk ka ndodhur që të gjitha komunat të dorëzojnë të plotësuara shtojcat e BPGj. Në shumë raste, edhe kur dorëzohen, shtojcat e BPGj janë me shumë gabime në të dhëna.
Sa i përket procesit të hartimit të buxhetit për vitin 2023, 33 komuna kanë ofruar të dhëna për punësimin e grave dhe burrave në sektorin publik komunal; 34 komuna kanë ofruar informata lidhur me shpërndarjen vjetore të buxhetit në paga; 25 komuna kanë ofruar të dhëna për numrin e grave dhe burrave që mund të përfitojnë subvencione; 26 komuna kanë dhënë informata të plota lidhur me shumën e subvencioneve të planifikuara e të ndara sipas gjinisë; 31 komuna kanë plotësuar të dhënat e BPGj sa i përket nivelit të pagës për gratë dhe burrat e punësuar në sektorin publik.
GAP bën të ditur se në 33 komunat që kanë plotësuar shtojcën për BPGj, del se janë të punësuara në total 18,739 gra (48.8%) dhe 19,626 burra (51.2%).
Prej 34 komunave të cilat kanë plotësuar shtojcën për BPGj, në 22 prej tyre burrat marrin pjesën më të madhe të buxhetit të destinuar për paga.
Përkundër asaj që në vitin 2023 parashihet që në total më shumë gra se burra të përfitojnë subvencione nga komunat, sa i përket vlerës së subvencionimit, 14 nga 25 komuna që kanë ofruar informata të plota, parashohin subvencionim në vlera më të larta për burra se për gra.
Instituti GAP rekomandon që në procesin e hartimit të buxhetit për vitin 2024, MFPT të shtrëngoj kriteret për aprovimin e buxheteve komunale nëse komunat nuk dorëzojnë të plotësuara edhe shtojcën për BPGj.
Po ashtu, buxhetimi gjinor duhet të përfshihet edhe në Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, si dhe të gjitha të dhënat rreth procesit të BPGj duhet të jenë pjesë e Projektbuxhetit që dërgohet në Kuvend të Kosovës për aprovim si dhe pjesë e projektbuxheteve komunale për diskutim në kuvendet e komunave.
Raportin e plotë mund ta gjeni të bashkangjitur në këtë email ose duke klikuar këtu.