Në 2017, totali i shpenzimeve të Qeverisë ishte 1 836.2 milionë euro
Prishtinë, 6 qershor - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ka publikuar Llogaritë Qeveritare të Kosovës për vitin 2017.
Ky publikim paraqet pasqyrën e të hyrave dhe shpenzimeve qeveritare brenda kësaj periudhe.
Të hyrat e Qeverisë së Përgjithshme në vitin 2017 ishin 1 921.2 milionë Euro. Në krahasim me vitin paraprak ishte një rritje prej 8% e të hyrave.
Pjesën më të madhe të të hyrave e përbëjnë tatimet në produkte, që paraqesin 68% të totalit të të hyrave; tatimet rrjedhëse në të ardhura, pasuri, etj., që paraqesin 12%; ndërsa pjesa e mbetur e të hyrave është shpërndarë në kategori të tjera të të hyrave.
Në vitin 2017, totali i shpenzimeve të Qeverisë së Përgjithshme ishte 1 836.2 milionë Euro.
Pjesën më të madhe të shpenzimeve e përbëjnë pagat dhe mëditjet me pjesëmarrje 30%; formimi i bruto kapitalit fiks, me pjesëmarrje 25%; kontributet sociale dhe përfitimet, me pjesëmarrje 23%; konsumi i ndërmjetëm, me pjesëmarrje prej 10%; ndërsa pjesa e mbetur e shpenzimeve është shpërndarë në kategori të tjera të shpenzimeve.
Ky publikim është përgatitur në përputhje të plotë me Udhëzuesin e Fondit Monetar Ndërkombëtar për Statistikat e Financave Qeveritare (GFSM 2014) dhe sipas Sistemit të Llogarive Evropiane (ESA 2010).