Në 2014, është sekuestruar pasuri në vlerë prej 31 milion euro
Prishtinë, 2 shkurt - Lëvizja FOL ka mbajtur sot debatin me temën Konfiskimi i pasurisë në Kosovë - puna një vjeçare e institucioneve.
Në këtë debat u fol në veçanti për punën e Koordinatorit Kombëtarë kundër Krimeve Ekonomike.
Kushtrim Palushi, deklaroi se zyra e Koordinatorit Kombëtar për Luftimin e Krimeve Ekonomike ka mbush një vit prej së është themeluar dhe në kuadër të këtij debati qëllimi është që të bëhet një prezantim i punës një vjeçare të këtij institucioni.
Koordinatori Kombëtar për Luftimin e Krimeve Ekonomike, Shqipdon Fazliu tha se ka një vit që është funksionalizuar kjo zyre dhe se përkundër sfidave me të cilat ballafaqohet sistemi i drejtësisë në Kosovë kanë arritur sukses në punën e tyre.
Sipas tij, përderisa gjatë vitit 2013 pasuria e sekuestruar ka qenë vetëm 1.6 milion euro, gjatë vitit 2014 kjo pasuri është rritur në vlerën rreth 31 milion euro.
Gjatë vitit 2014 në pasurinë e sekuestruar ka edhe pasuri të zyrtarëve të lartë dhe politikanëve, mirëpo presim vendimet e gjykatës për konfiskim, tha Fazliu.
Faziu ndër të tjera tha se zyra që ai udhëheqë nuk ka fuqi ekzekutive mirëpo si zyrë e kanë më shumë fuqinë e dhënies së rekomandimeve.
Ndër rekomandimet që ne i kemi dhënë si institucion për vitin 2014 kanë pasur të bëjnë me shqyrtimin e vlerësimit të performancës së të gjithë hetuesve në Polic, Doganë, Agjencioni Kundër Korrupsion, ATK-në dhe çdo institucioni tjetër zbatues të Ligjit.
\"Ne mendojmë se vlerësimi i performancës duhet të bëhet kryekëput në bazë të rezultateve dhe të arriturave të secilit hetues të Policisë apo Prokurorë. Rekomandimi tjetër që do të kishte një efekt zinxhiror në sistemin gjyqësorë mendojmë se ka të bëjë me Politikën Ndëshkimore, ky rekomandim ka të bëjë ekskluzivisht me KGJK-në dhe Gjykatat e vendit.\"
\"Ne mendojmë së një numër të konsiderueshëm të rasteve, dënimet e dhëna nga gjykatat e vendit kanë qenë minimale duke pas parasysh veprën e kryer, po ashtu z. Fazliu shtoi se pavarësisht rekomandimeve që i kanë bërë nuk janë në dijeni nëse ndonjë nga to është marrë parasysh nga institucionet kompetente.
Pasuria e sekuestruar gjatë vitit 2014 arrin në vlerën rreth 31 milion euro. Nga to para të gatshme janë mbi 1 milion euro, mbi 17 banesa, 8 vila, 11 shtëpi, 2 objekte ndërtimore, një hotel, 6 lokale afariste, 30 kg ari, si dhe restorante, fabrika, klinika etj.
Gjithashtu, për pasuri të konfiskuar kemi rreth 15 vendime të gjykatës të cilat kapin shumën rreth 25 mijë euro, të cilat do të kalojnë në buxhetin e shtetit.
Pra, tashmë nuk kemi të bëjmë vetëm me sekuestrim por edhe me konfiskim të pasurisë. Gjithashtu, aktualisht janë edhe 18 raste që janë veç në procese gjyqësore dhe jemi në pritje të rezultateve, deklaroi Fazliu.
Zyra e Koordinatorit Nacional kundër Krimeve Ekonomike është duke punuar në rritjen e transparencës ku qëllimi është që të i ofrohet qasje publikut në të gjitha aktgjykimet përfundimtare duke përfshirë të gjitha specifikat e aktgjykimeve.