Ndryshimi i Ligjit për TVSH avancon më tej reformën fiskale në Kosovë
Prishtinë, 29 tetor - Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë mirëpret vendimin e Qeverisë për plotësim-ndryshimin e legjislacionit tatimor, e në veçanti të Ligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Ndryshimi i Ligjit për TVSH, i cili do të mundësojë mbledhjen e brendshme të këtij tatimi, është përgjigje e Ministrisë së Financave ndaj kërkesave të sektorit privat dhe asociacioneve të biznesit, si dhe avancim i mëtejmë i reformës fiskale.
Kjo masë, së bashku edhe me masat e tjera fiskale të implementuara gjatë këtij viti, si dhe gjatë viteve të fundit, pa dyshim se do ta bëjnë më atraktive ofertën e Kosovës për investitorët e jashtëm por edhe për investitorët e brendshëm.
Investitorët amerikanë tashmë shohin atraktivitet më të madh në tregun e Kosovës, e konfirmim i kësaj është edhe ardhja e brendeve amerikane në shtetin e Kosovës, proces ky i cili do të vazhdojë edhe në javët dhe muajt në vijim. Prania e brendeve amerikane do të reflektojë siguri edhe për kompanitë e tjera ndërkombëtare të cilat me vite kanë ngurruar të shtrijnë aktivitetet e tyre afariste në Kosovë.
Reformat e vazhdueshme në mjedisin e të bërit biznes të pasqyruara edhe në raporte të organizatave ndërkombëtare si Banka Botërore dhe Fondacioni Heritage janë rezultat i dialogut aktiv ndërmjet sektorit privat dhe publik në të kaluarën, ndërsa që rezultatet pozitive të mos mungojnë në këtë drejtim nevojitet një konsideratë dhe angazhim më i madh për dialogun publiko-privat, veçanërisht në fuqizimin e sundimit të rendit e të ligjit.
Oda Amerikane mbetet e përkushtuar për partneritet konstruktiv me institucionet e Kosovës me qëllim të përmirësimit të mëtejmë të mjedisit të të bërit biznes.