Ndihmohen 600 familje me pako ushqimore
Mitrovicë, 5 gusht - Rreth 600 familje janë ndihmuar me pako ushqimore në Mitrovicë para Festës së Bajramit.
Kontingjenti prej 250 familjesh është ndihmuar me pako ushqimore nga Komuna e Mitrovicës, ndërsa rreth 200 familje të komuniteteve të ndryshme janë ndihmuar me pako ushqimore nga Komuna e Inegolit të Turqisë. Pjesën tjetër prej 150 pakosh e ka siguruar kompania ETC.
Kryetari i komunës Avni Kastrati dhe drejtori për Mirëqenie Sociale, Faik Prekazi, kanë marrë pjesë të hënën në ndarjen e këtyre pakove, ku përfshihen artikuj si miell, sheqer, vaj, detergjent etj.
Përafërsisht përbërje e njëjtë e ndihmave ka qenë edhe në pakot ushqimore të ofruara nga Inegoli.
Kryetari Kastrati, shprehu kënaqësinë që sado pak kanë mundur tu dalin në ndihmë qytetarëve që kanë gjendje të rëndë sociale në prag të Festës së Bajramit.
Ai gjithashtu falënderoi Komunën e Inegolit për mbështetjen e vazhdueshme që është duke ofruar për qytetarët e Mitrovicës. Gjithashtu falënderoi edhe kompaninë ETC dhe të gjithë ata që janë duke ndihmuar.
Ndërsa drejtori për Mirëqenie Sociale, Faik Prekazi, tha se kërkesa për pako ushqimore është shumë e lartë. Mendoj se sado pak kemi mundur të zbusim situatën në këtë kohë, tha ai.