03 Maj 2024

Ndihma e Japonisë kontribut për një mjedis të shëndoshë

Prishtinë, 30 tetor - "Qeveria është duke bërë çdo gjë që ka në mundësi për të krijuar parakushtet për ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarët tonë. E shërbimet e tilla mund të përmirësohen vetëm falë përkrahjes nga miqtë tanë, siç është Japonia", ka deklaruar ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj.

Këto komente kreu i MZHE-së i bëri në ceremoninë e pranim–dorëzimit të 43 kamionëve për mbledhjen e mbeturinave donacion i Qeverisë japoneze përmes Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar, JICA, ku të pranishëm ishin edhe Ministri i Mjedisit Dardan Gashi, Ambasadori i Japonisë në Vjenë, Shigeo Iwatani, Ambasadori i Kosovës në Tokio, Ahmet Shala, kryetarët e Komunave të Prizrenit dhe Suharekës dhe zyrtarë lokalë.

“Ne e çmojmë shumë faktin se marrëveshja për këta kamionë është nënshkruar në vitin 2010, dhe që ajo nuk është zbatuar deri tash për shkak të zhvillimeve në Fukoshima, por besimi që Japonia ka dëshmuar se ka tek populli i Kosovës dhe ndihma ekonomike dhe politike që ajo ka ofruar përbëjnë dhuratën më të çmuar për popullin dhe institucionet e Kosovës”, tha Beqaj.

Ai tha se Qeveria e Kosovës është duke e bërë punë të madhe për t’u siguruar qytetarëve jetë më të mirë dhe jeta më e mirë sigurohet me shërbime më të mira dhe me mjedis më të shëndoshë i cili mund të sigurohet nga ndërmarrjet publike, ndërsa ka falënderuar Japoninë për këtë kontribut të çmuar.

Nga ana e tij, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor,  Dardan Gashi vlerësoi se ky është një projekt i madh i cili flet vet, fjala është për 43 kamionë për grumbullimin dhe transportin e mbeturinave urbane dhe që do t’i shpërndahen komunave Prizren, Prishtinë, Suharekë, Rahovec, Malishevë dhe Dragash.

“Pa dyshim ky projekt me vlerë mbi 5 milionë euro do të ndikojë dukshëm që banorët e këtyre komunave të gëzojnë një ambient më të shëndoshë”, tha Gashi duke vlerësuar kontributin e Japonisë për përmirësimin e mjedisit në Kosovës.   

Ambasadori i Japonisë në Vjenë, Shigeo Iwatani, i cili ishte i pranishëm në këtë ceremoni, tha se qëllimi i këtij donacioni që kap shumën rreth 5 milionë dollarë është që të përkrah pushtetin lokal në këto dy qytete të mëdha për përmirësimin e mbledhjes së mbeturinave

“Shpresoj që mbledhja e mbeturinave nga këta kamionë do të jetë një fillim i mirë për të gjitha gjërat që të vëmë në rregull si dhe të jetë një bazament që fut në fuqi treshen; kurse, ripërdor dhe riciklo me qëllim që të ruhen materialet e vlefshme dhe që të ruhet mjedisi i cili na rrethon.    

Më pas kreu i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja tha se qyteti i Prizrenit njihet si një nga qytetet më të pastra në Evropën Juglindore, në regjionin e Ballkanit dhe sigurisht me shfrytëzimin e këtyre kamionëve dhuratë nga shteti mik i Japonisë, qyteti do të jetë më i pastër, shembull në Evropën Juglindore.

Ndryshe, në kuadër të vizitës në Prizren, ministri Beqaj ka vizituar kompaninë për përpunimin e metaleve nga zinku dhe bakri “Zinkunie”, ku është pritur nga drejtuesit e saj, të cilët e kanë informuar mbi afarizmin dhe sfidat që ballafaqohet ky biznes.

Nga ana e tij, ministri Beqaj ka ritheksuar orientimet e Qeverisë për forcimin e sektorit privat, ndërsa ka siguruar ata se do të kenë përkrahjen institucionale por të gjetur zgjidhje për të gjitha problemet me të cilat mund të ballafaqohen.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)