Ndihma e IPA-së parashihet të përfundojë në vitin 2013
Prishtinë, 16 mars - Sot Sekretari i Përgjithshëm i Ministrës së Integrimit Europian, njëherësh Koordinator Kombëtar i IPA-s, Edon Cana, ka dërguar ftesë të gjitha institucioneve relevante të Republikës së Kosovës dhe organizatave joqeveritare për kontribut në konsultimet për të ardhmen e ndihmës së para-anëtarësimit të Bashkimit Europian pas vitit 2013.
Instrumenti për Ndihmën e Para-anëtarësimit i Bashkimit Europian parashihet të përfundojë në vitin 2013. Si rrjedhim, Komisioni Europian ka nisur konsultimet gjithpërfshirëse rreth së ardhmes së ndihmës së para-anëtarësimit pas vitit 2013.
"Qëllimi i këtij konsultimi është të mbledhen të dhëna për të kuptuar më mirë prioritetet për ndihmë financiare dhe të dëshmohet vlera e përfituar e ndihmës së para-anëtarësimit sikurse dhe të hulumtohet se si mund të përmirësohet ndihma e para-anëtarësimit në kornizën e ardhshme financiare."
Konsultimi sipas Ministrise se Integrimeve do të jetë i hapur për të gjithë akterët relevant të involvuar në përgatitjen dhe në implementimin e ndihmës së para-anëtarësimit, posaçërisht të atyre nga shtetet anëtare të BE-së, nga vendet përfituese të IPA-s, institucionet partnere financiare, donatorët tjerë bilateral dhe organizatat e shoqërisë civile.
Për këtë qëllim, Komisioni Europian ka vënë online një pyetësor në linkun http://ghkint.com/enlargement, i cili do të jetë në dispozicion deri më 31 mars 2011. Në këtë link gjenden edhe shpjegimet tjera shtesë sa i përket plotësimit të këtij pyetësori.
Rezultatet e këtij pyetësori do të shfrytëzohen në hartimin e një evaluimi të ndihmës së para-anëtarësimit pas vitit 2013 dhe do të shfytëzohen gjatë diskutimeve që do të organizohen në mes të Komisionit Europian dhe akterëve relevant.
Ndihma financiare e BE-së për Kosovën është e një rëndësie të madhe për Kosovën dhe do të shërbejë edhe në të ardhmen për të ndihmuar Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit europian.
Për këtë arsye, Ministria e Integrimit Europian, si institucion që koordinon procesin e integrimit europian sikurse dhe programet e ndihmës financiare të BE-së, fton të gjithë individët të cilët punojnë në institucionet e administratës publike dhe në organizatat e shoqërisë civile të përfshira në ndihmën financiare të IPA-s që të japin kontributin e tyre duke u përgjigjur në këtë pyetësor.