19 Nëntor 2024

Ndërtimi, mundësi për krijimin e vendeve të punës

Prishtinë, 27 janar - Kryetari i Shoqatës së Ndërtimtarëve të Kosovës (SHNK), Brahim Selimaj, ka deklaruar se sektori i ndërtimeve në Kosovë nuk është në gjendje të mirë. Ai ka thënë se ky sektor, i cili punëson mijëra punëtorë, nuk po përkrahet nga institucionet e Kosovës.

Në një bisedë për gazetën “Epoka e re”, Selimaj ka thënë se ndërtimi është dikasteri më i fuqishëm ekonomik në vend, por edhe në vende të tjera. Selimaj ka vlerësuar se më së shumti investime bëhen në sektorin e ndërtimtarisë, i cili merr pjesë të madhe të GDP-së dhe të punësimit në Kosovë. Ai nuk ka dhënë shifër të saktë se sa mund të jenë punësimi dhe pjesëmarrja në GDP, por ka thënë ajo mund të kalojë mbi 10 për qind.
Selimaj ka treguar se ka pasur kontakte me kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmetin, i cili u ka premtuar ndërtimtarëve se do të punojnë së bashku dhe në harmoni me ligjet që janë në fuqi.

“Do të kemi takime permanente me komunën, sepse jemi optimistë për punët që do t’i bëjmë. Ligji në fuqi, që ka të bëjë me ndërtimin, është i mangët. Ne si shoqatë edhe më përpara kemi dhënë vërejtjet sa i përket këtij ligji, i cili është jo i mirëfilltë dhe nuk hap mundësi të zhvillohet ky sektor. Ligji në fjalë ka shumë burokraci dhe e pengon në përgjithësi zhvillimin e ndërtimtarisë”, ka thënë ai. 


Selimaj është shprehur se ky ligj duhet të fuqizohet me amendamente të ndryshme. “Ne edhe më parë i kemi dërguar rekomandimet tona në kuadër të Odës Ekonomike të Kosovës (OEK). Ne i kemi shprehur brengat tona për disa pika që e pengojnë zhvillimin e këtij sektori”, ka thënë ai. Selimaj ka bërë me dije se kërkesat e tyre si shoqatë për të bërë ndryshime në ligjin për ndërtim kanë hasur në vesh të shurdhër nga institucionet e Kosovës.

Ai ka kërkuar nga komuna e Prishtinës të jetë më shumë bashkëpunuese, pasi ky sektor është pamja dhe imazhi i Prishtinës. “Kërkojmë nga komuna dhe kryetari Ahmeti të kemi më shumë koordinime të përbashkëta, pasi përfitues do të jenë të gjithë: Komuna, kompanitë ndërtimore, edhe qytetarët e Kosovës që do të mund të kenë më shumë zgjedhje”, ka thënë ai.
Selimaj i ka kritikuar qeverisjen lokale dhe atë qendrore për moskoordinim në caktimin e taksave për ndërtim. “Duhet të ketë një koordinim ndërmjet qeverisjes lokale dhe asaj qendrore në mënyrë që taksat të kanalizohen dhe të jenë në vendin e duhur”, ka theksuar ai. Sipas tij, nuk është komuna e Prishtinës, e cila ka pasur probleme me sektorin e ndërtimeve, por është pikënisja, pasi mbi 70 për qind e ndërtimeve në Kosovë bëhen në Prishtinë, sepse kërkesa për të pasur banesa në Prishtinë është më e madhe në krahasim me komunat e tjera.
Selimaj ka deklaruar se ligji i tanishëm nuk sjellë investime të huaja në këtë sektor. Sipas tij, nëse do të ketë ndryshim të ligjit dhe që do t’u përshtatet më shumë bizneseve, atëherë do të ketë edhe investime të jashtme, pasi Kosova ka mundësi për investime. Selimaj i ka ftuar institucionet e Kosovës të bëjnë ndryshime në këtë ligj, në të kundërtën ai ka paralajmëruar se bizneset e ndërtimeve do të ikin nga Kosova.

“Shumë kompani të ndërtimit po i shikojnë mundësitë të ikin nga Kosova dhe të investojnë në vendet e rajonit, në të cilat mundësia për ta zhvilluar këtë sektor është më e madhe”, ka potencuar ai. Selimaj ka shprehur brengën për kamatat e larta të bankave në Kosovë.

“Këto banka nuk na kanë krijuar kushte të mira. Bankat janë njëlloj fajdexhinjsh, sepse nuk janë në shërbim të zhvillimit të Kosovës apo të bizneseve në veçanti”, ka thënë ai.



Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)