Ndërmarrja e Down Syndrome Kosova nis paketimin e mjaltit
Ndërmarrja sociale gjithashtu përfshinë një sërë aktivitetesh, si: përkrahjen e programit X 21, dhe prodhimin e kartolinave punëdore. Ky program menaxhohet nga Down Syndrome Kosova, përmes projektit të Bashkimit Evropian, projekt ky që zgjatë 18 muaj.
Zëvendësministra e ministrit të punës dhe mirëqenies sociale, Rita Hajzeraj-Beqaj, duke uruar shoqatën Down Syndrome Kosova, e vlerësoi atë si një shembull se si duhet trajtuar kategoritë e margjinalizuara.
Ne si Qeveri e Kosovës, si Ministri e Punës dhe Mirëqenies Sociale, mund të themi sot se kemi marr një hap të rëndësishëm, sa i përket ndërmarrjeve sociale dhe qeveria e Kosovës e ka miratuar propozimin e ministrisë sonë për këto ndërmarrje. Ne konsiderojmë se këto ndërmarrje mund ta nxisin interesin për punësimin, aftësimin dhe profilizimin e ndërmarrjeve sociale, të cilat i trajtojnë grupet e margjinalizuara. Dhe mund të them lirisht, se shoqata e juaj Down Syndrome Kosova, është shembulli më i mirë i trajtimit të kësaj kategorie, është shprehur zv/ministrja Hajzeraj-Beqaj.
Ndërsa Libor Chlard zëvendëskryesues për Bashkëpunim nga Zyra e BE-së tha se ndërmarrja sociale-amë është një nga 9 projektet, të përkrahura nga Bashkimi Evropian, nw programin e punësimit të personave me që janë me ndjeshmëri të caktuar.
Është me rëndësi të ceket se përveç investimit, ndërmarrja sociale-amë kjo ofron trajnime për punësim për 40 persona dhe duke marr parasysh situatën në Kosovë, kjo është e jashtëzakonshme, aq më tepër për personat me aftësi të kufizuar. Kjo u jep atyre mundësinë që ata të bëhen anëtarë të shoqërisë e poashtu të japin kontribut në këtë shoqëri. Besoj se fondet e BE-së janë duke u shpenzuar në mënyrë të duhur këtu, dhe ky projekt do të shërbej si një shembull suksesi që do të mund të merret si bazë në të ardhmen.
Driton Bajraktari menaxher i projektit dhe njëherësh kryesues i departamentit për zhvillim dhe ngritje të fondeve në shoqatën Down Syndrome Kosova, u shpreh se punësimi është elementi kyç për përfshirjen sociale dhe pavarësinë ekonomike të gjithë qytetarëve në moshë pune.
Qëllimi i ndërmarrjes sociale, ka të bëjë me zhvillimin e programeve të trajnimit dhe punësimit të qëndrueshëm për personat me sindromën Down dhe PDI. Gjithashtu, synim tjetër i ndërmarrjes sociale, mbetet, që DSK të luaj rolin e agjentit të punësimit për anëtarët e saj brenda rrjetit të ndërmarrjes sociale, kompanive private dhe programeve të punësimit të mbështetura nga Qeveria e Republikës së Kosovës, tha z. Bajraktari.
Ndërkaq, drejtoresha e shoqatës Down Syndrome Kosova, Sebahate Beqiri Hajdini, falënderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen në promovimin e ndërmarrjes sociale.
Neve si shoqatë që nga themelimi kemi punuar shumë në krijimin e programit për trajnim dhe riaftësim të personave të prekur me Down syndrome dhe të personave me dëmtime intelektuale. Që qëndrueshmëria të jetë sa më e madhe e këtyre programeve, ne kërkojmë përkrahje më të madhe institucionale, shtoi znj. Hajdini-Beqiri.
Ndërmarrja Sociale - amë është program i DSK-ës, i cili mbështetët përmes projektit 18 muajsh të financuar nga Bashkimi Evropian, ndërsa Oda Ekonomike Amerikane, Korporata Energjetike e Kosovës ofruan përkrahjen e tyre në themelimin e programit, gjithashtu kompania Jetoj kontribuojë me orendi për punëtorinë.