Ndërmarrës të ri do të prezantojnë idetë e tyre të biznesit
Prishtinë, 9 shtator - Sot në Qendrën e Inovacionit në Kosovë (ICK) zhvillohet ceremonia e prezantimit YE! Boost Startup Pitch Event.
Kjo ngjarje organizohet nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA).
Programi YE!Boost Startup, është një iniciativë e përbashkët e Kosovës dhe organizatave ndërkombëtare, duke përfshirë KIESA-n, ICK, organizatën ndërkombëtare Child and Youth Finance International (CYFI), Bankën TEB dhe Fondin Evropian për Zhvillimin e Evropës Juglindore.
Në këtë ngjarje tetë ndërmarrës të ri nga Kosova do të ftohen të prezantojnë idetë e tyre të biznesit.
Ata janë përzgjedhur në mesin e 20 startup-eve të cilat kanë marrë pjesë në Ye! Boost Camp një program trajnues për aftësi ndërmarrëse i organizuar nga ICK nga 5-9 Shtator, 2016.