Ndahen edhe 500 mijë euro grante për biznese të reja

Prishtinë, 5 prill - Edhe një grant tjetër nga Projekti për Zhvillimin e Rinisë në Kosovë është ndarë sot. Rreth 500 mijë euro janë ndarë sot për 192 të rinj për mbështetje për biznese të vogla.
Projekti për Zhvillimin e Rinisë në Kosovë implementohet nga Banka Botërore dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Në total ai kap vlerën 2.8 milionë dollarë.
Në ceremoninë e prezantimit të këtyre granteve dhe nënshkrimit të kontratave i pranishëm ishte edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Memli Krasniqi.
Ai ka uruar të rinjte për marrjen e këtyre granteve dhe ju ka dëshiruar atyre suksese në jetësimin e ideve të tyre biznesore.
Ministri Krasniqi ka falënderuar Bankën Botërore për mbështetjen e madhe që në vazhdimësi ka dhënë për rininë e në veçanti përmes Projektit për Zhvillim e Rinisë në Kosovë.
Me tej, ai tha se bizneset e reja që po përkrahen përbejnë një lajm të mirë për gjithë shoqërinë.
Grantet që po i ndajmë sot nuk janë vetëm një përfitim i juaji personal dhe profesional, por në radhë të parë janë një kontribut i drejtpërdrejtë në zhvillimin e shoqërisë, sepse me këtë ne kemi rreth 200 të rinj që menaxhojnë biznese, që punësojnë qindra të tjerë dhe që zgjerojnë konkurrencën në ekonomi, ka thënë ministri Krasniqi.
Ai tha se në vitet e fundit janë shënuar rezultatet të mëdha, e që dëshmojnë për përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës që rinia të jetë gjithmonë një prioritet.
Rinia është pashmangshëm një prioritet nacional dhe do të jetë edhe në të ardhmen. Të rinjtë janë një nga potencialet me të mëdha që ka vendi ynë. Në vitet e pas pavarësisë të rinjtë kanë marrë një rol shumë të rëndësishëm në institucione dhe në jetën publike në përgjithësi, dhe e kanë dëshmuar përkushtimin e madh që kanë për ta quar përpara vizionin për një shtet demokratik dhe pjesë të familjes evropiane, tha ai.
Ai ka përmendur edhe miratimin e Strategjisë Kosovare për Rini, si një hap tejet të rëndësishëm në adresimin dhe realizmin e kërkesave të të rinjve. Duke folur për bizneset e vogla, që janë themeluar nga këta të rinj, Ministri Krasniqi tha se përveç mbështetjes financiare nga shteti, ata tashmë kanë edhe një klimë më të mire të të berit biznes.
Bizneset ju tashmë përveç se po i nisni apo po i fuqizoni me një mbështetje substanciale, keni para vetës një klimë edhe më të mirë të të bërit biznes. Kur e them këtë e kam parasysh raportin e vitit të kaluar të Bankës Botërore për të bërit biznes, e ku Kosova ka shënuar reformat më të thella, duke shkurtuar procedurat burokratike për afarizëm, eliminuar lejet dhe licencat e panevojshme, zvogëluar taksat administrative, e të tjera. Kjo reformë do të jetë e vazhdueshme, dhe padyshim se për shumë prej jush këtu ky është një lajm shumë i mirë, e që ua lehtëson rrugën për të jetësuar idetë për biznes.
Disa nga përfituesit kanë prezantuar planet e tyre për biznes. Idetë e mbështetura shtrihen kryesisht në fusha profesionale teknologji informative, marketing, artizanate, etj.
Më herët, në kuadër të Projektit për Zhvillimin e Rinisë në Kosovë janë ndarë grante për pajisje për 49 biznese ekzistuese të të rinjve, janë mbështetur financiarisht me rreth 300 mijë dollarë disa qendra rinore si dhe janë trajnuar rreth 800 të rinj në fusha të ndryshme profesionale.
Përveç mbështetjes së përbashkët më partnerë tanë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka rritur në këto dy vjet buxhetin për rininë dhe ka zgjeruar format e mbështetjes.
Në Departamentin e Rinisë tashmë janë ndarë në fazën e parë subvencione për organizatat joqeveritare, në vlerë totale prej rreth 150 mijë euro.
Gjatë vitit do të ketë edhe disa konkurse publike për subvencionim të projekteve të ndryshme që lidhen me politikat programore të MKRS-së.