Ndahen Çmimet FIDES për filantropinë në Kosovë për vitin 2017
Prishtinë, 30 nëntor - Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ) mbajti ceremoninë për ndarjen e Çmimit FIDES për filantropinë në Kosovë, për vitin 2017.
FIQ me këtë çmim shpreh mirënjohje për kompanitë dhe individët që kanë kontribuar për të mirën e përbashkët dhe beson se ky çmim do të shërbejë si inspirim për të tjerët, duke bërë që publikisht të kuptohet se si duhet të punohet për të mirën e komunitetit.
Hapja e kësaj ceremonie u bë me një video-prezantim të punës së FIQ ndër vite.
Drejtoresha e FIQ, znj. Dajana Berisha,theksoi se FIQ nëpërmjet FIDES vlerëson humanizmin qytetar individual, vizionin e sektorit privat për t’i ardhur në ndihmë arsimit e inovacionit, dashamirësinë dhe mbështetjen e përhershme të diasporës, vullnetarizmin dhe energjinë e rinisë, si dhe liderët e mbrojtjes dhe fuqizimit të grave, dhe ata të mbrojtjes së mjedisit”
“Ceremonia e ndarjes së çmimeve për kontribut filantropik në Kosovë tashmë është bërë një traditë e bukur, që të mbush me optimizëm dhe shpresë, se përtej lodhjes politike, vendi ofron kapacitete njerëzore, natyrore dhe financiare për të mobilizuar e investuar me mençuri për të ardhmen. Është një mrekulli t’ia ndreqësh ditën, apo jetën një njeriu, një familje, apo një komuniteti”, tha Berisha
Këtë vit FIDES i dedikohet rinisë pasi që FIQ punon me te rinj në gjithë Kosovën, në krijimin e kapaciteteve të tyre për vendimmarrje, si dhe për aktivizëm qytetar brenda komuniteteve në Kosovë.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj, i ftuar special i FIDES 2017 i cili ndau edhe çmimin post-mortum për z. Robert Elsie tha se filantropia bashkëkohore shihet si një strategji për të pasuruar kulturën e bamirësisë, dhe e falënderoi FIQ për punën për nxitjen e filantropisë, si një mekanizëm që avancon bashkëpunimin ndërmjet tre sektorëve - publik, privat dhe atij civil -me qëllim mobilizimin e drejtë të komuniteteve për qëndrueshmëri dhe përgjegjësi sociale.
“Kështu krijohet ekosistemi i vlerave të cilat i mbart shoqëria Kosovare dhe për të cilat FIQ kujdeset për t’i promovuar duke sjellë më afër njerëzit, institucionet dhe sektorët e zhvillimit në Kosovë”, tha Haradinaj.
Ai theksoi se ndihet krenar që në këtë mbrëmja ndan Çmimin FIDES 2017 Post Mortum, për kontribut në ndriçimin e historisë, kulturës dhe jetës së shqiptarëve për Robert Elsie, albanologun kanadez i cili ndërroj jete para 1 muaji por që kombit shqiptar i la një trashëgimi të mbushur me vepra shqip të përkthyera në gjuhën angleze, dhe gjermane duke i paraqitur botës realitetin shqiptarë.
Këtë çmim e pranoi Z. Artur Metani si mik, bashkëpunëtor profesionist i Elsie.
Në vijim Çmimi FIDES për kontribut në nivel kombëtar “Hasan Prishtina” iu nda Raiffeisen Bank Kosovo për kontribut në projekte që avancojnë arsimin, inovacionin dhe kulturën. Çmimin e ndau Dajana Berisha- FIQ.
Ndërkaq Drejtori i Bankës Raiffeisen z. Robert Wright tha që është nderë të merret një çmim i tillë.
“Që nga fillimi i operimeve tona ne kemi mbështetur projekte në arsim, kulturë, art, sport, mirëqenie sociale dhe do të vazhdojmë të punojmë në këtë drejtim në vitet që vinë”, tha ai.
Çmimi FIDES për Ambient, iu nda ERA Group të cilët kanë bërë punë të mrekullueshme dhe atë në mënyrë të vazhdueshme në mbrojtje të mjedisit duke arsimuar edhe të rinjtë për mjedisin. Këtë çmim e ndau Jan Axel Voss zv. Ambasador i Gjermanisë në Kosovë.
“Diplomatët e sotëm duhet të marrin parasysh çështjet mjedisore, sepse ato mund të shkaktojë problem politik. Nëse Kosova nuk kujdeset për mjedisin, do të ketë probleme në të ardhmen. Të gjithë tanimë e dimë se ndotja e ajrit është problem serioz që si pasojë ka pasur humbje të jetëve njerëzore. Zbatimi i politikave në favor të mjedisit varet nga të gjitha institucionet e Kosovës, por edhe nga ne dhe qytetarët që e kemi obligim t’i edukojmë gjeneratat e reja për vlerën e mjedisit dhe pasurive natyrore të Kosovës”, tha ai.
Fatos Lajçi udhëheqës i ERA falënderoi FIQ për nominimin dhe u shpreh krenar për punën e organizatës e cila që nga themelimi solli njerëz nga tërë bota në Kosovë për të vlerësuar bukuritë tona natyrore.
“Mjedisi është i lidhur me zhvillimet ekonomike dhe shpresojmë se çështjet mjedisore në shtetin tonë të jenë prej çështjeve primare dhe të kenë vëmendje të posaçme”, tha ai.
Çmimi FIDES për kontribut nga Diaspora, iu nda Z. Fadil Berisha për përkrahje të pakursyer të komunitetit shqiptarë në Amerikë.
Këtë çmim e ndau Dr. Lori E. Amy, Profesoreshë në Georgia Southern University, themeluese e OTTOnomy e cila tha se diaspora është ajo që rindërton besimin, kujdesin dhe përgjegjësinë për të mirën e përbashkët.
“Ata përdorin të arriturat e tyre për të krijuar mundësi dhe për të ndërtuar të ardhme për vendlindjen.Dhe i tillë është edhe i nominuari Berisha i cili ja kushtoi jetën dhe veprën e vet promovimit të shqiptarëve jashtë vendlindjes.
Liza Gashi, drejtore e Programeve në Germin, pranoi çmimin në emër të Berishës.
Çmimi FIDES për Fuqizimin e Gruas, iu nda znj. Kadire Tahiraj për kontribut të pashembullt në provimin e grave, mbrojtjen e të drejtave dhe fuqizimin ekonomik të tyre. Këtë çmim e dha Margarita Xhepa, Artiste e Popullit.
“Si grua, si artiste, si shqiptare është emocion i bukur të ndaj këtë çmim duke u nisur nga fakti se vet kam pas krenari të madhe për gratë shqiptare dhe traditën e tyre të punës. Zhvillimi i shoqërisë nuk ka si të përparojë pa qenë në krye gruaja apo nëna, figura kryesore në familje”, tha Xhepa.
Ndërkaq Kadire Tahiraj tha se mesazhi i Qendrës për Promovimin e të Drejtave të Grave në Drenas është që këto gra të pranohen në shoqëri dhe që nëpërmjet fuqizimit ekonomik atyre t'u hapet dera për të jetuar të lira e pa paragjykime.
Çmimi FIDES për kontributin individual, iu nda z. Vezir Ramushi për kontribut kategorive më të rënda sociale, si familjeve me asistencë sociale dhe nevoja shëndetësore.
Këtë çmim e ndau Dr. Murat Jashari, përfaqësues i familjes Jashari i cili njëherazi përshëndeti nënat e gratë shqiptare për humbjen e sakrificën e tyre për të shtuar se filantropët kosovar si Nënë Tereza e Hasan Prishtina janë model me të cilët krenohet kombi e bota.
Çmimi FIDES për “Liderët e Rinj”, iu dha Grupit për Familjet në Nevojë për organizimin e pashoq vullnetar për kontribut ndaj familjeve, me theks të veçantë fëmijëve që vijnë nga familjet me asistencë sociale dhe probleme shëndetësore.
Këtë çmim e ndau futbollisti i mirënjohur Lorik Cana.
“Këto shoqata, e fondacione me dëshirën e veprimtarinë e tyre e vlerat që promovojnë mundohen të jenë vlerë shtesë jo vetëm për veten por për të gjithë njerëzit me të cilët punojnë, rriten apo bëjnë biznes duke na mundësuar që në fund të fitojmë të gjithë ne si shoqëri e si komb”, tha Cana.
Ndërkaq në emër të Grupit, Kaltrina Zeka tha se është e nderuar me rezultatet e punës dhe atë që ka arrit.
“E kemi nis si 3 persona, me 4 familje e sot i ndihmojmë rreth 50 familje në vit. Një ndër aksionet tona është që shumë fëmijë të vazhdojnë shkollimin. Pjesa më e lezetshme janë fëmijët që sjellin kursimet e lodrat e tyre që i ndajnë me fëmijët tjerë për të cilët lodrat e Babadimri i Vitit të Ri janë vetëm ëndërr. Ideja është që nëse ne si student arrijmë me i ndihmu 50 familje mendojmë se secila korporatë mundet me ofru shumë më shumë se ajo që e ofrojmë ne.”, tha Zeka.
Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ) vepron në Kosovë që nga viti 2000, dhe që nga viti 2008 ka për qëllim promovimin e filantropisë si një mekanizëm të mbështetjes së zhvillimit të qëndrueshëm dhe tejkalimit të kulturës së bamirësisë në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor, duke kultivuar kulturën e investimit strategjik për të mirën publike.
Në vitin 2009, FIQ filloi punën jo vetëm në promovimin e filantropisë, por edhe në inkurajimin e aksioneve filantropike në shoqërinë tonë duke falënderuar individët, bizneset, diasporën, organizatat e shoqërisë civile, dhe komunat për punën e tyre ideale për të mirën e përbashkët. Urimi ynë është që deri në takimin e radhës në 10 vjetorin e çmimit FIDES, vlera e filantropisë dhe të mirës ndaj komunitetit të jetë rritur e shtuar.