MZHE synon avancimin e bashkëpunimit me sektorin bankar
Prishtinë, 20 shtator - Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismalji ka zhvilluar sot një takim pune me zv. Drejtoreshën e ProCredit Bank, znj. Eriola Bibolli me të cilën janë diskutuar çështjet e interesit të përbashkët me theks të veçantë bashkëpunimin në fushatat për rritjen e efiçiencës të energjisë.
Gjatë takimit, ministri Ismajli ka vënë në dukje nevojën e avancimit të bashkëpunimit të ndërsjelle të institucioneve qeveritare me sektorin bankar me qëllimtë realizimit të projekteve të ndryshme në interes të qytetarëve.
Kreu i MZHE-së ka theksuar se janë hapur dyert e bashkëpunimit me ProCredit Bank si një ndër bankat më kryesore komerciale dhe me drejtuesen e saj ka diskutuar mundësinë e ndihmës financiare që kjo bankë mund të realizojë në nevojat dhe prioritetet e MZHE-së, tanimë të identifikuara, me fokus të veçantë në efiçiencë të energjisë.
Me këtë rast, ministri Ismajli ka nënvizuar rëndësinë që efiçienca e energjisë ka për vendin tonë për faktin se një ekonomi që shfrytëzon energjinë me efiçiencë ka të gjitha premisat e zhvillimit duke ulur koston për energji, ndërkaq aspekti tjetër është ndikimi që kjo ka në kualitetin e jetës dhe kontributi në përmirësimin e mjedisit.
Gjithashtu është diskutuar edhe për investime në kapitalin njerëzor sepse konsiderohet të jetë investimi me normën më të lartë të kthimit dhe dhënien e huave për projekte prodhuese dhe gjeneruese.