MZHE përjashton nga puna Ramandan Sejdiun
Prishtinë, 8 dhjetor - Zyrtari i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Ramadan Sejdiu, i cili ka qëndruar në paraburgim në Japoni për shkak se dyshohej për ngacmim seksual, është përjashtuar përfundimisht nga puna.
Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka bërë të ditur se ia ka ndërprerë marrëdhënien e punës udhëheqësit të Njësisë për Politika dhe Zhvillim dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Ramadan Sejdiu. Atij i është ndërprerë marrëdhënia e punës në fund të javës së kaluar.
Këtë vendim dikasteri që udhëhiqet nga ministri, Blerand Stavileci, e ka marrë duke konsideruar se zyrtari i saj ka bërë shkelje serioze si zyrtar publik. Arsyet e ndërprerjes së kontratës nuk janë bërë publike.
Në bazë të Rregullores Nr.04/2011 për Procedurat Disiplinore në Shërbimin Civil, më datë 22.09.2015, Ramadan Sejdiut i është iniciuar procedura disiplinore me dyshimin për shkelje serioze.\"
\"Me këtë rast, Komisioni Disiplinor i MZHE-së pas ekzaminimit të shkresave ka vendosur që Sejdiut ti shqiptohet masa disiplinore Ndërprerja e marrëdhënies së punës në Shërbimin Civil pa dëmtuar apo reduktuar të drejtën në pension, pasi që ka konstatuar se zyrtari në fjalë ka kryer veprime që bien ndesh me interesat e institucionit dhe dëmtojnë institucionin sipas Rregullores 04/2011, Neni 6 - Paragrafi 1.15, ka thënë për gazetën Zëri Naim Zeqiri, udhëheqës i Divizionit për Komunikim me Publikun në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik.
/Zëri/