MZHE mbështet zhvillimin ekonomik të komunave
Prishtinë, 14 nentor - Bashkëpunimi i qeverisjes qendrore dhe lokale është i një rëndësie të veçantë në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe suksesi i qeverisjes qendrore nuk mund të jetë i plotë pa bashkëpunimin dhe zbatimin e reformave dhe politikave në nivelin lokal, ka deklaruar Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, duke shtuar se MZHE është e përkushtuar në zhvillimin ekonomik të komunave përmes politikave të qëndrueshme zhvillimore.
Këto komente ministri Beqaj i bëri sot në tryezën e rrumbullakët Roli i komunave në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, ku morën pjesë kryetarë të komunave, Agjencitë për Zhvillim Regjional, përfaqësues të Ministrisë së Pushtetit Lokal, Ministrisë së Integrimit Evropian dhe drejtues të Ndërmarrjeve Publike që u mbajt në mjediset e Qeverisë së Kosovës.
Beqaj tha se zhvillimi ekonomik lokal, respektivisht procesi i përmirësimit të kualitetit të jetës së banorëve të komunave kërkon një linjë të qartë të komunikimit dhe bashkëpunimit në mes të nivelit qendror dhe lokal të qeverisjes.
Zhvillimi ekonomik lokal arrihet përmes: Promovimit të bizneseve të vogla dhe të mesme lokale; Shfrytëzimit efikas të resurseve dhe potencialeve natyrore dhe njerëzore; Përmirësimit dhe zhvillimit të infrastrukturës lokale dhe investimet e reja nga vendi apo nga jashtë, të cilat ndikojnë në krijimin e vendeve të reja të punës dhe rrjedhimisht në zvogëlimin e numrit të papunëve, i cili konsiderohet të jetë prioritet i të dyja niveleve të qeverisjes, tha ai.
Beqaj tha se MZHE është e përkushtuar të mbështesë zhvillimin ekonomik të komunave përmes; krijimit të bazës për politika të qëndrueshme zhvillimore, nxitjes dhe rritjes së aktiviteteve ekonomike, nxitjes së aktiviteteve për bashkëpunim ekonomik dhe investimeve të huaja, garantimit të konkurrencës dhe tregut të sigurt, efiçiencës në administrimin e ndërmarrjeve publike dhe transformimit të tyre.
MZHE mbështet intensifikimin e bashkëpunimeve ndërmjet MZHE dhe komunave
inkurajon realizimin e projekteve me përkrahje të kapitalit të huaj dhe vendor në komuna, inkurajon komunat në krijimin e strategjive zhvillimore lokale ofron mbështetje financiare duke investuar në NPL.
Kreu i MZHE-së ka nënvizuar rolin e Departamenteve të zhvillimit ekonomik në nivel komunal dhe donatorëve nga SHBA-të, vendet e Bashkimit Evropian, Japonia, shtetet skandinave, Banka Botërore dhe UNDP, në realizimin e projekteve kapitale në infrastrukturë, bujqësi, arsim dhe shkence, shëndetësi, administratë lokale, transport, etj.
Nga ana e tij, Naim Ismajli - kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës, ka vlerësuar se sa i përket zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, komunat kanë qenë partner shumë serioz në mbështetjen e investimeve me krijimin e politikave në bazë të kompetencave edhe përgjegjësive që kanë.
Komunat kanë bërë që me aktivitetet e tyre të ndryshojë pozicioni i të bërit biznes, kemi ndikuar që edhe Ligji për Partneritet Publiko Privat nga 40 vite, sot ta ketë fleksibilitetin varësisht nga shkalla e investimeve, tha ai, duke shtuar se varësisht nga kushtet po përpiqen të përmirësojnë kushtet e qytetarëve, ndërsa si sfidë nënvizoi menaxhimin e deponive.
Ndërkaq, Adriana Hoxhiq drejtuese e Zyrës Administrative në veri të Mitrovicës tha se janë duke bërë plane për zgjedhjen e përhershme për secilin problem, ndërsa ka shtuar se investimet në këtë pjesë të vendit nuk janë të mjaftueshme.
Sa i përket zhvillimit ekonomik në kontekst të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, Hoxhiq përmendi dy pengesa; mungesën e përvojës në promovimin e produkteve të prodhuara dhe strukturat ilegale, të cilat nuk lënë hapësirë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
Pjesëmarrësit në këtë tryezë kanë vlerësuar si të domosdoshëm takimin për identifikimin e problemeve, adresimin e tyre dhe gjetjen e zgjidhjes në afatin sa më të shpejtë konform kornizës ligjore dhe institucionale.