MZHE mbështet Gjilanin që të përballet me thatësirën
Prishtinë, 20 mars - Ministri i Zhvillimit Ekonomik Fadil Ismajli ka vizituar Komunën e Gjilanit me çrast ka zhvilluar një takim me kryetarin Lutfi Haziri, me të cilin ka diskutuar gjendjen nëpër të cilën po kalon kjo komunë sa i përket furnizimit me ujë si dhe bashkërendimin e aktiviteteve në funksion të përmirësimit të shërbimeve për qytetarët.
Si Ministri e Zhvillimit Ekonomik secilës komunë do ti dalim në ndihmë dhe do ti bashkërendisim aktivitetet, sepse të gjithë ne duhet të përqendrohemi te nevojat e qytetarëve dhe problemet e qytetarëve që i kanë, ka thënë ministri Ismajli.
Ndërsa sa i përket mungesës së ujit, ministri Ismajli është shprehur i bindur se të gjitha vështirësitë do të tejkalohen dhe se për këtë ka takuar Bordin e KRU Hidroregjioni me të cilët është dakorduar që brenda pak kohësh të dalin me propozime konkrete për sanimin e gjendjes.
Ministri Ismajli ka pohuar se sa i përket tejkalimit të mungesës së ujit, MZHE është në bisedime me Bankën Botërore për vazhdimin e projektit të Ibër Lepecit i cili projekt tangon pos Gjilanit edhe komunën e Ferizajt dhe me gjerë.
Ndryshe, ministri Ismajli duke komentuar idetë për zona të lira ekonomike, tha se pozicioni i Gjilanit ngjashëm me Gjakovën dhe Mitrovicën meriton të ketë një status të tillë pasi është në trekëndëshin në mes të kufirit Maqedoni, Serbi dhe Kosovë, për shkak të shpërndarjes më të lehtë të mallit, sepse në zota e tilla mallrat dhe shërbimet lirohen nga tatimet dhe shpenzimet fillestare të investimeve janë shumë më të vogla.
Nga ana tij, Lutfi Haziri kryetar i Komunës së Gjilanit ka theksuar nevojën e koordinimit mes komunës dhe ministrisë në veçanti me ndërmarrjet regjionale që Gjilani të tejkalojë këtë fazën të rëndë të thatësisë.
Haziri tha se është biseduar edhe për çështje tjera që lidhen me ndërmarrjet dhe nevojën që Gjilani të mbështetet në zhvillim ekonomik, në veçanti rreth zonës së lirë ekonomike në të ardhmen.